Informacion për qytetarët shqiptarë në Itali që dëshirojnë të udhëtojnë drejt vendlindjes

Advertisment

Dekreti i qeverisë italiane lë në fuqi kufizimet e udhëtimeve deri më datën 31 korrik 2020, transmeton albinfo.ch.

Për të gjithë atë kategori qytetarësh shqiptarë, që sipas dekretit lejohen të udhëtojnë drejt Shqipërisë (qytetarët e pajisur me leje qëndrimi dhe rezidente në Itali) të cilët mund të kryejnë udhëtime për arsye personale, drejt Shqipërisë apo Italisë duhet të kenë parasysh se:

Reklame

Pasagjerët duhet të mbajnë distancën prej 1.5 metër në aeroport;

Aeroporti do të vendosë një pikë të automatizuar ku pasagjerët mund të blejnë maska ose dezinfektant personal;

Për kujdesin e higjienës personale janë vendosur dezinfektantë për duart në hyrje të terminalit, në hyrje të korridorit të sigurisë, si edhe në pjesën e mbërritjeve pranë zonës ku tërhiqen bagazhet;

Personat që do të hyjnë në terminal, si në nisje ashtu edhe në mbërritje, do të kalojnë në tunelin e dezinfektimit. Materiali që përdorët për dezinfektim është Peroksid Hidrogjeni i holluar në ujë në masën 0.2%, sipas rekomandimit dhe miratimit të Institutit të Shëndetit Publik;

Pasagjerët duhet të plotësojnë një deklaratë mbi statusin e tyre të COVID-19 përpara se të kenë një leje për të hipur në bord të avionit (boarding pass), gjatë procesit të check-in;

Në momentin e hyrjes në terminal, personat në nisje ashtu edhe në mbërritje do t’i nënshtrohen matjes së temperaturës. Personat me temperaturë mbi 37.5 g. c nuk lejohet të vijojnë procedurën e check-in-it dhe do të futen në zonën e veçantë të karantinimit dhe ndaj tyre kryhen procedurat e tjera të verifikimit;

Pasagjerët në aeroport, që identifikohen simptomatik nga autoritetet e shëndetit publik, mund të mos lejohen të vazhdojnë udhëtimin;

Asnjë pasagjer simptomatik nuk duhet të riatdhesohet me një fluturim të rregullt pasagjerësh;

Gjatë qëndrimit në terminal njerëzit duhet të respektojnë sinjalistikën, të mbajnë distancim fizik nga persona të tjerë, të përdorin karriget në terminal sipas sinjalistikës;

Pasagjerët që nuk zbatojnë masat parandaluese: nuk do t’u jepet akses në ndërtesën e terminalit të aeroportit, në kabinë ose do të zbriten nga avioni dhe do të largohen nga aeroporti nga autoritetet e rendit publik;

Nuk lejohet mbajtja e baterive lithium në pajisje ose më vete në bagazhet e kontrolluara;
Në rastin e udhëtimit nga Shqipëria drejt Italisë, të mbahet parasysh se:

Duhet të firmoset vetëdeklarimin, i cili përmban këto pika kryesore:

Deklarimin se nuk kanë qenë të infektuar me Covid-19, apo të karantinuar për 14 ditë,
Deklarimin se nuk kanë temperaturë trupore mbi 37.5 GC (pavarësisht se kryhet matja e saj në momentin e udhëtimit nga autoritetet kufitare)

Në momentin e udhëtimit nuk shfaqin shenja të lodhjes, humbjes së shijes, dhimbjes trupore, kollës, frymëmarrjes së rënduar, diarre, dhimbje fyti, ethe të përgjithshme,

Nuk kanë pasur kontakte të ngushta me persona të infektuar me Covid-19, në 48 orët përpara shfaqjes së simptomave,

Nuk kanë pasur kontakte të ngushta me persona te infektuar me Covid-19 në 14 ditët e fundit.

Në rastin e udhëtimit drejt Italisë, me çfarëdo lloj mjeti, edhe nëse janë asimptomatike, janë të detyruar të komunikojnë direkt me organet përkatëse shëndetësore të zonës ku janë rezidentë, për të informuar mbi gjendjen e tyre.

Të gjithë këta qytetarë do të jenë të detyruar të zbatojnë karantinën 14 ditore pranë banesës së tyre, dhe për këte do të ndiqen me kontrolle nga shërbimet shëndetësore.

Në rast të shfaqjes së simptomave, janë të detyruar të lajmërojnë menjëherë mjekun e familjes, apo qendrën shëndetësore të zonës ku banojnë. Në këtë rast, qytetarit do t’i kryhet menjëherë testi molekular. /Albinfo.ch