Interi ‘turpëron’ Milanin blindon vendin e parë (VIDEO)

Derbi i Milanos shihej nga të gjithë si momenti i së vërtetës, një sfidë mes dy rivalëve të përjetshëm, ku si rrallë herë në vitet e fundit në tavolinë luhej titulli kampion në Serie A. Inter vërteton edhe një herë se ka një marsh më shumë se kushërinjtë kuqezi, janë një ekip që mund të dhurojë paraqitje fantastike si këtë herë duke marrë një fitore të pastër 0-3.

Dyshja Lautaro Martinez-Romelu Lukaku ishin perfekt, shfrytëzuan çdo detaj të këtij takimi duke udhëhequr edhe një herë zikaltërit.

“Demi” argjentinas ishte protagonisti kryesor, autorë i një “dopjete”. Pesë minuta lojë i mjaftuan Martinez për të kaluar Inter në avantazh, një gol i shpejtë që i dha një bonus të madh në aspektin psikologjik.

Me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 57-të, Martinez u shërbye në qendër nga Perisic për të vënë në jetë “dopjetën” e tij personale. Në momentin më të mirë të Milan, Lukaku finalizoi një kundërsulm të shpejtë duke sigluar shifrat përfundimtare në 0-3.

Falë këtij suksesi, Inter kryeson i vetëm tabelën e klasifikimit, plus katër pikë nga Milani i vendit të dytë.