Ja çfarë ka vendosur sot Qeveria Zvicerane në mbledhjen e saj emergjente

Advertisment

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Zvicrës, të paralajmëruar për sot, janë marrë një sërë vendimesh të rëndësishme në kuadrin e luftës kundër koronavirusit.

Vendimet i kanë bërë të njohura për publikun presidentja Federale Simonetta Sommaruga dhe ministri i shëndetësisë Alain Berset në një konferencë për media e cila po vazhdon në momentin kur po raportojmë, shkruan albinfo.ch.

Reklame

Në vazhdim, të përmbledhura shkurtimisht vendimet që janë marrë sot nga ekzekutivi i Zvicrës:

Nga e hëna, 19 tetor, ndalohen tubimet spontane të më shumë se 15 personave në hapësirat publike.

Maska duhet të mbahet në ambientet e brendshme që janë të arritshme për publikun. Kjo vlen, për shembull, për dyqanet, bankat, zyrat postare, muzetë, bibliotekat dhe kinematë.

Detyrimi për maskë duhet të zbatohet gjithashtu në të gjithë stacionet e trenave, aeroportet dhe në stacionet e autobusëve dhe të tramvajit, transmeton albinfo.ch. Deri më tani, ky detyrim ka qenë në fuqi vetëm për brendinë e trenave, autobusëve e tramvajëve dhe jo për hapësirat e stacioneve përkatëse.

Po ashtu duke filluar nga 19 tetori hyjnë në fuqi rregulla të reja për aktivitetet ose ndejat private me më shumë se 15 persona: Në to mund të konsumohet vetëm gjatë qëndrimit ulur, rreth tavolinës; Ata që nuk ulen, duhet të vendosin maskën; Duhet të vazhdojë mbledhja e të dhënave të kontaktit.

Në restorante, bare dhe klube po ashtu mund të konsumoni vetëm ndërsa jeni ulur.

Këshilli Federal tani rekomandon që të punohet nga shtëpia (Home Office) nëse është e mundur.

Edhe më tutje nuk ka detyrim të vendosjes së maskës në vendet e punës. Kjo për shkak se punëdhënësit kanë nën kontroll konceptet e tyre të mbrojtjes, ka thënë Berset, i pyetur nga një gazetar në konferencën për media, përcjell albinfo.ch. “Vetë kompanitë dinë si të mbrojnë punonjësit e tyre. Dhe ata gjithashtu kanë interes për të pasur punonjës të shëndetshëm. Përveç kësaj, Këshilli Federal nuk dëshiron të rregullojë gjithçka nga fillimi.

Po ashtu nuk është vendosur detyrimi i maskës në shkolla. Kjo çështje është në kompetencë të kantoneve, ka thënë Berset.