Ja kush qëndron pas rregjistrimit të Bashkësis Islame Selefiste në Maqedoni

Gjyqësia në Republikën e Maqedonisë po tenton përçarjen e myslimanëve në vend. Së fundmi, Gjykata Themelore Shkupi 2 më 22 dhjetor të vitit të kaluar, ka regjistruar një Bashkësi Fetare Islame tjetër, gjegjësisht “BASHKËSINË ISLAME SELEFISTE – DAR EL HADITH”.

Vendimi e mban nënshkrimin e gjykatëses Suzana Donçevska, e cila edhe më herët kishte sjellur vendim për emërimin antiligjor të Skender Buzakut për kryetar të BFI-së, në kundërshtim me Kushtetutën e këtij institucioni.

Reklame

Ndaj vendimit të fundit dje ka reaguar Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame, të cilët këtë vendim të Gjykatës e kanë e kanë quajtur si tendencioz që cenon unitetin e myslimanëve në Maqedoninë e Veriut. Shefi i kabinetit të reis ul. Ulema Shaqir ef.Fetahu, Evzal Sinani, para gazetarëve deklaroi se vendimi i gjykatëses Suzana Donçevska është i turpshëm dhe tentim për paralelizëm institucionit kushtetutar të BFI-së. Ai tha se si institucion, kanë marrë masat e nevojshme kundër këtij vendimi dhe kanë informuar të gjitha institucionet më të larta shtetërore.

“Aktin e gjykatëses Donçevska e llogarisim tendencioz dhe me këtë akt, ajo ka shkelur jo vetëm Ligjin për pozitën juridike të kishës, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze, por ka shkelur edhe praktikën juridike që për çdo themelim të bashkësive fetare – mendim duhet të japin pesë bashkësitë kushtetutare të Maqedonisë së Veriut. Ligji nuk lejon regjistrimin e dy bashkësive fetare që mbajnë të njëjtin emër, kanë të njëjtat burime e mësime dhe kryejnë të njëjtat praktika fetare.

Bashkësia Fetare Islame prej momentit të parë i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe duke e gjykuar ashpër këtë vendim, i njoftoi të gjitha instancat shtetërore duke filluar nga Presidenti i shtetit, kryetari i Parlamentit, kryeministri si dhe faktorin ndërkombëtar në vend”, deklaroi Sinani.

Ai, mes tjerash apeloi te të gjithë besimtarët musliman në RMV dhe bashkatdhetarët në Evropë e gjetiu, që mos të bien në grackën dhe kthetrat e bashkësisë së themeluar nga Donçevska dhe me bindje të paluhatshme të dëshmojnë se kjo bashkësi – është pjellë e strukturave dashakeqe në vend për ta dëmtuar thellë unitetin e muslimanëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkësinë Fetare Islame në veçanti.

Edhe pse nuk deshën të tregojnë emrin e kryetarit të kësaj bashkësie islame selefiste, gazeta KOHA në vendimin e gjykatës merr vesh se bëhet fjalë për personin Xhemal Jakupi nga Shkupi. Njëherësh, KOHA kërkoi prononcim zyrtar edhe nga Këshilli i Gjykatësve se a do të ndërmarrin masa kundër gjykatëses Donçevska që ka sjellë vendim anti-ligjor, konkretisht pa marrë mendim nga pesë bashkësitë kushtetutare në Maqedoninë e Veriut.

Kujtojmë rastin në të kaluarën me klerikun Jovan Vranishkovski. Gjykata Penale i caktoi tre vite burgim si dënim klerikut Jovan Vranishkovski vetëm sepse kishte themeluar Kishë Ortodokse paralele me Kishën Ortodokse Maqedonase. Mbi gjitha, vendimi i gjykatëses Donçevska është tregues i qartë për drejtësinë me dy arshinë, ku në rastin “përçarësi” të Vranishkovskit për KOM-in, gjykata e dënoi me 3 vjet burgim, ndërsa personat që po tentojnë përçarjen e muslimanëve në vend, po shpërblehen me vendime pozitive nga gjyqësia vendore. (koha.mk)