Ja kush u zgjodh zëvendëse e Avokatit të popullit

58

Deputetët me 63 vota “për”, tetë “kundër” dhe pa asnjë të përmbajtur sot pasdite në kuadër të mbledhjes së 130-të e zgjodhën Sonja Trifunovskën për zëvendëse të Avokatit të Popullit, e cila do të punojë në Shkup.

Pushteti dhe opozita patën qëndrime të kundërta për propozimin Trifunovska, juriste e diplomuar nga Tetova, të jetë zëvendëse e Avokatit të popullit, transmeton gazeta KOHA.

Koordinuesi i grupit të deputetëve të koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE Nikolla Micevski deklaroi se LSDM dëshiron edhe në institucionin e Avokatit të popullit të instalojë kuadro të veta dhe të hedhë njollë në punë. Theksoi se Sonja Trifunovska është anëtare e Komisionit juridik të LSDM-së dhe anëtare e Forumit të gruas të LSDM-së. Akuzoi se sundimi i së drejtës është në nivelin më të ulët dhe u bëri thirrje deputetëve të mendojnë mirë nëse duhet edhe në këtë institucion të lejohet partizimi i plotë.

BËri thirrje që Sonja Trifunovska të mos zgjidhet zëvendëse e Avokatit të popullit dhe t’i jepet mundësia një personi tjetër profesionist të lajmërohet në këtë konkurs dhe institucioni Avokati i popullit të mbetet mbrojtës i të drejtave të qytetarëve.

Avokati i popullit, Ixhet Memeti theksoi se është e drejta e tij të propozojë zëvendës para Kuvendit. I informoi deputetët se nga tre kandidatët, vetëm dy i kanë plotësuar kushtet, ndërsa një prej tyre është Trifunovska.

Kuvendi sot pasdite në kuadër të mbledhjes së 130-të votoi ligje nga disa sfera. Deputetët diskutuan për Propozim – ligjin për ndryshim të Ligjit për tubime publike, në lexim të parë dhe konkluduan se është i pranueshëm dhe mund të jepet për lexim të mëtutjeshëm, përkatësisht lexim të dytë. Për këtë Propozim – ligj votuan 51 deputetë, ndërsa nuk pati të përmbajtur dhe kundër.

Me Ligjin për tubimet publike rregullohen mënyra e realizimit të së drejtës së qytetarëve në tubim publik për shkak të shprehjes së qetë të mendimit dhe protestës publike, si dhe rasteve kur do të ndërpritet mbajtja e tubimit publik. Qëllimi themelor për të cilin propozohet ndryshimi i Ligjit për tubimet publike është harmonizimi i Ligjit për tubime publike me Ligjin e ri për kundërvajtje, në pjesën e dispozitave kundërvajtëse, përkatësisht gjobave.

Në ligjinm e propozuar bëhet intervenim në nenet 9 dhe 10 të Ligjit për tubime publike në drejtim të uljes së gjobave për persona fizik, si dhe harmonizimi i gjobave për personat juridik dhe personat përgjegjës në personat juridik (tregtarë të vegjël, mikro, të mesëm dhe makro) me gjobat e parapara në Ligjin e ri për kundërvajtje dhe shlyerje të nenit 10-v.

Deputetët diskutuan edhe për Propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për tregti elektronike, Propozim-ligjin për ndryshim të Ligjit për taksën për qëndrim të përkohshëm, Propozim-ligjin për ndryshim të Ligjit për veprimtari hotelierike, Propozim-ligjin për ndryshim të Ligjit për veprimtari hotelierike, Propozim-ligjin për ndryshim të Ligjit për pronësi industriale, të gjithë në lexim të parë.

Kuvendi do të vazhdojë me punë sipas rendit të ditës të mbledhjes së 130-të nesër në orën 12:30.(koha.mk)