Ja sa duhet të rritet rroga në Maqedoni, për të mos u larguar jashtë

Advertisment

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është përpjekur t`i japë përgjigje pyetjes “1 milion dollarëshe”: “Çfarë duan qytetarët për të mos ikur nga vendi i tyre?”. Përgjigja përkthehet në vlerë monetare, por përpara se të shkojmë deri aty, duhet të kemi parasysh se, sipas BERZH, Maqedonia është ndër vendet më problematike në drejtim të emigrimit, madje sipas raportit më të fundit të BERZH, është vendi që do ta vuajë më shumë në tkurrjen e forcës së punës, emigrimin neto, shkruan gazeta KOHA.

Ky fenomen do të kontribuojë në tkurrjen me 11% të popullsisë në gjendje pune. Madje, BERZH tregon edhe se në Europë nuk ka asnjë popull tjetër me dëshirë kaq të lartë për të migruar sesa qytetarët e Maqedonisë, e me këtë – edhe të Ballkanit. Vlerësimet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim arrijnë në përfundimin se një rritje e pagës mesatare mujore do të eliminonte dëshirën e qytetarëve për të braktisur vendin.

Reklame

Por, sa do të duhej të ishte kjo rritje? Plot 477 dollarë në muaj thotë raporti, ose 424 euro shtesë. Pra, ndërkohë që paga mesatare mujore bruto në vend është mbi 410 euro, një qytetar mesatar do të dekurajohej që të emigronte vetëm në rast se do të kishte një shtesë të pagës së tij me 424 euro, që është mbi dy herë rritje në krahasim me pagën mesatare.

Pra, në terma më të thjeshtuar, në rast se do të donte të ndalte emigrimin, Qeveria e Maqedonisë e ka zgjidhjen, duhet të rrisë pagën mesatare në 830 euro në muaj. Studimi thotë se, në mënyrë që të zhduket dëshira për të emigruar do të duhej që diferenca mes pagës mesatare në vendin e origjinës dhe atij të destinacionit të emigrantëve të ulej me 70%. (koha.mk)