Ja sa policë dhe agjentë do të kujdesen për Joe Biden gjatë turneut në Evropë

Shefin e Shtëpisë së Bardhë e ruajnë 500 agjentë të Shërbimit Sekret, që janë drejtpërdrejt të angazhuar për sigurinë e tij dhe që kontrollojnë gjithçka.

Presidenti amerikan Joseph Biden është nisur dje në orët e para të mëngjesit nga Washington për në Britani të Madhe, ku do të duhej mbërrinte pasdite! Ky është udhëtimi i parë i Bidenit jashtë vendi që kur ka ardhur në krye të shtetit më të fuqishëm në botë – duke realizuar një turne tetë ditore nëpër Evropë, gjë që paraqet një sfidë të madhe për organet e sigurisë, transmeton Telegrafi.

Reklame

Për sigurinë e tij në ishull (Britani të Madhe) sipas mediave britanike, do të kujdesen 6.500 policë dhe pjesëtarë të shërbimit sekret, që gjithashtu janë të angazhuar për sigurimin gjatë samitit te G7-ës.

Megjithatë jo gjithçka duket aq e thjeshtë, në momentin që konfirmohet pjesëmarrja e presidentit amerikan në ndonjë samit jashtë SHBA-ve, para arritjes së tij në kontinentin e vjetër, fillimisht shkojnë agjentët e Shërbimit Sekret amerikan, që kontrollojnë çdo aspekt të sigurisë – nga pusetat e kanalizimit e deri te aeroplanët që lëviznin në qiell mbi vendin ku do të qëndroj Biden.

Tetë ditë të gjata – agjenda e turneut

e mërkurë, 9 qershor
Biden me bashkëshorten Jill largohen nga Washingtoni në orët e para të mëngjesit – Udhëton drejt bazës ajrore Mildenhole.

e enjte, 10 qershor
Biden do të takohet me kryeministrin britanik Boris Johnson në Cornwall, ku do të rikonfirmohen lidhjet e veçanta mes këtyre dy vendeve

e premte, 11 qershor
Biden do të merr pjesë në samitin e liderëve të grupit të shtatë shteteve më të zhvilluara, ku temë kryesore do të jetë ekonomia dhe uniteti

e shtunë, 12 qershor
Biden do të vazhdojë takimet bilaterale me liderët e grupit të shtatë vendeve në Cornwall

e diel, 13 qershor
Biden përfundon pjesëmarrjen në samit dhe do të takohet me mbretëreshën Elizabeth II në Winsdor, ku më pas do të udhëtoj për në Bruksel

e hënë, 14 qershor
Në Bruksel, Biden do të takohet me liderët e vendeve anëtare të NATO-s, dhe do të ketë takim privat me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan

e martë, 15 qershor
Biden do të ketë edhe disa takime tjera në selinë e NATO-s, ku më pas udhëton drejt Gjenevës

e mërkurë, 16 qershor
Në Gjenevë do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin, takimi i tyre i parë që nga ardhja në krye të Shtëpisë së Bardhë

Kështu në Cornwall ku Biden do të merr pjesë në Samit, disa ditë më parë kanë mbërritur rreth 500 pjesëtarë të Shërbimit Sekret, që drejtpërdrejt janë të angazhuar për sigurinë e Bidenit.

Sfidë logjistike paraqet fakti që në Cornwall nuk ka shumë kapacitete për akomodim, dhe për këtë të gjitha hotelet në një zonë prej rreth 30 kilometrave janë mbushur, e disa anëtar të ekipit të Bidenit të angazhuar për sigurinë e tij, është dashur të akomodohen nëpër kamp-vetura.

Organizatorët e samitit kanë konfirmuar se janë angazhuar forca shtesë të policisë, për shkak të paralajmërimeve për protesta me rastin e mbajtjes së samitit.

Në Cornwall pritet të marrin pjesë liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, që do të kenë me vete ekipet e sigurimit – kështu që lirisht mund të thuhet se qyteza britanike në ishull do të jetë një prej vendeve më të sigurta në botë.

“Do të kemi patrullime të vazhdueshme tokësore, ajrore dhe detare. Ky operacion është kompleks. Puna jonë që gjithçka të kalojë pa problem dhe të gjithë të jenë të sigurt”, ka thënë Joe Holl, komandant i policisë në Cornwall.

Është interesant se rreth 1.000 policë do të akomodohen në anijen “MS Fuqia e Evropës” të ndërtuar në Gjermani në vitin 1993, brenda të cilës janë shtatë restorante, klube të natës dhe sauna. Ajo lëviz me shpejtësi prej 21 nyje.

Kjo anije mund të pranojë deri në 3.000 pasagjerë dhe zakonisht përdoret për lundrim nga Helsinki për në Talin. Policia britanike ka huazuar për 10 ditë. E i tërë operacioni i sigurisë do të kushtojë rreth 83 milionë funte. /Telegrafi/