Jo vetëm pasaportat, në Maqedoni mungojnë edhe lejet për vozitje

Mungesa e pasaportave në vend nuk është i vetmi problem, pasi qytetarët ankohen edhe për mungesa të lejeve për vozitje.

Qytetarët të cilët kanë pasur probleme me sigurimin e dokumenteve, për Faktor thonë se është e vështirë të merret edhe leja për vozitje.

Reklame

“Bëra kërkesë në emrin tim për leje për vozitje, ndërsa mora përgjigje se këto dokumente për momentin nuk janë, pasi mungojnë formularët. Disi me urgjencë, arrita ta marr dokumentin e lejes për vozitje, në mënyrë që të mund ta regjistroj makinën. Njerëzit që më ndihmuan thanë se kjo është leja e fundit për vozitje, e cila disi është ruajtur në MPB”, tha një qytetar.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e pranojnë se kanë mungesa të dokumenteve.

Por thonë se problemi me lejet e vozitjeve nuk është aq i madh sa ai me pasaportat.

“Këto ditë ka mungesa, por nga kompania që i përpunon lejet për vozitje na thanë se nesër ose më së voni pasnesër, do të duhet të arrijnë 5 mijë formularë, me çka do të tejkalohet mungesa e tanishme”, thonë nga SPB Shkup.

Ata thanë se para një muaji, problemi me lejet e vozitjeve ka qenë më i theksuar, por kompania “Bato Divajn” ka filluar ta furnizojë MPB-në me 10 mijë deri 15 mijë leje për vozitje çdo javë.