Joshua pranon mega – ofertë për përballjen me Fury , gjithçka bëhet në Arabinë Saudite

Meçi mes dy gjigantëve britanikë të boksit është shumë afër.

Kampionët e boksit, Anthony Joshua dhe Tyson Fury, janë më afër se kurrë që të përballen me njëri tjetrin.

Fury sot ka fituar titullin e WBC duke mposhtur Deontay Wilderin, duke bërë kështu që të ketë mundësinë për duelin që do të unifikonte titujt – pra, kundër Anthony Joshua.

‘Sun’ raporton se skuadra e Joshua ka pranuar një mega-ofertë që të përballet me Tyson Fury, por meçi duhet të zhvillohet në Arabinë Saudite, transmeton lajmi.net.

Nuk dihet akoma nëse një meç mes dyshes do të organizohet vërtetë në Lindjen e Mesme.

Fury sot pas fitores ka lënë të hapur mundësinë për trilogjinë me Wilder, duke thënë se nëse amerikani kërkon revanshin, ai do t’ia sigurojë atë.

Në anën tjetër, adhuruesit e boksit duan duelin për unifikimin e titujve, mes Anthony Joshua dhe Tyson Fury.

Edhe promotori i AJ, Eddie Hearn ka bërë thirrje që të zhvillohet meçi për unifikimin e titujve. Të gjithë janë në pritje. Deri më tani, nuk ka asgjë zyrtare. /Lajmi.net/