Kalaja e Tetovës dhe tuneli misterioz nën të

Behixhudin Sheapi

Në këtë ditë të diele, kur të gjithë jemi të mbyllur në shtëpitë tona në karantinë, desha pak t’jua largoj vëmendjen nga gjendja e koronavirusit dhe zhvillimet politike me një fenomen historik që moti i ka preokupuar tetovarët dhe jo vetëm. Fjala është për Kalanë e Abdurrahman pashës në Tetovë, e cila gjendet në Balltepe (Kodra e mjaltës) dhe tuneli misterioz që ka qenë një lidhje e fshehtë e kështjellës me qytetin.

Reklame

Shumë pak ka gjurmë sot që e vërtetojnë këtë kalim nëntokësor, aq i madh sa në të të kalojnë kuaj me karrocë dyrrotëshe. Për ekzistimin e tij u vërtetova në vitin 2000, kur në emër të BFI-së, ku atëherë isha i angazhuar si përgjegjës në Sektorin e shkencës dhe kulturës, qëndrova zyrtarisht në arkivin shtetëror të Turqisë për të hulumtuar pronën e Kalasës së Tetovës, respektivisht vakëfin rreth këtij kompleksi që daton nga fillimi i shek.19, sepse kishte tentativa ogurzeza që aty të vendoset kryq gjigant duke pretenduar se ishte pronë e kishës.

Në dokumentacionin që e kisha pranë gjeta një projekt(mapë) të vizatuar me ngjyra me emrin e tunelit të kalasë së Tetovës. U befasova këndshëm sepse u binda se ai tunel, për të cilin kemi dëgjuar shumë thashetheme, megjithatë ka ekzistuar.

Më pastaj, hulumtimet e mia u përqendruan në gjetjen e autorit të këtij projekti. Më vonë zbulova se udhëpërshkruesi i njohur gjerman, Grizebah, që me profesion ka qenë edhe inxhinier i ndërtimtarisë dhe i cili në vitin 1931 viziton Tetovën, është projektuesi i tunelit dhe shumë ndërtesave tjera në kompleksin e pallateve të Abdurrahman pashës në Kalanë në Baltepe. (A.Grizebach, Reize durh Rumeloen und nach Bursa in Jahre 1939, Getingen.235-290).

Sa për fillim, po ndaj me ju hartën e tunelit, origjinali i të cilit ruhet në Arkivin shtetëror në Stamboll. Shpresoj se detajet tjera për kalanë e Tetovës dhe personalitetin e Abdurrahman pashës do t’i shpalos në punimin e doktoraturës, të cilin jam duke e punuar.

Përveç hyrjes gjysmë të rrënuar të tunelit në pjesën e kalasë, që e konstatuam gjatë punimeve në vitin 2007-2008, kur janë zhvilluar gërmime arkeologjike dhe kur rindërtuam imaretin ose trapezarinë ushtarake, gjurmë të tjera nuk kemi.