Kalohet shifra prej mbi 1 milion të infektuarve nga koronavirusi në botë

Numri i të prekurve nga koronavirusi në botë, kaloi shifrën 1 milion të enjten, ndërsa ai të vdekurve nga pandemia është tani mbi 50 mijë, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins.

Numri i viktimave vazhdoi të rritet ndjeshëm në Itali, Spanjë dhe Shtetet e Bashkuara, ku u regjistruan qindra vdekje të tjera.

Në Itali pati 760 të vdekur të tjerë, duke e çuar numrin e të vdekurve në vend në 13,915, shifra më e lartë mes të gjitha vendeve. Numri i të vdekurve në Shtetet e Bashkuara ishte të enjten mbi 5, 600 por Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se viktimat mund të kapin shifrën nga 100 mijë në 240 mijë.

Në gjithë botën, koronavirusi ka shkaktuar kaos për qeveritë kombëtare dhe lokale që po përpiqen të furnizojnë spitalet me paisje mjekësore, ndërsa miliona vetë kanë humbur punën.

Në Shtetet e Bashkuara, 6.65 milionë punëtorë që kanë humbur punën aplikuan për ndihma sociale papunësie javën e kaluar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tre javëve të fundit në mbi 10 milionë, shkruan VOA.