Kandidatet për tre parti të ndryshme por me një vlerë të përbashkët

Advertisment

Nga Nada Dosti

Historikisht gratë në politikë janë paragjykuar dhe do të paragjykohen vazhdimisht. Historikisht gratë muslimane praktikante janë gjykuar dhe të vazhdojnë të gjykohen. Dhe historkisht politikanet me hixhab janë paragjykuar dhe akuzuar si “shrytëzim të imazhit fetar për interesa politike”. Paragjykime të tilla janë normale në një shoqëri të pazhvilluar, mendjengushtë dhe me shumë pak ose aspak diapazon politik. Por, le të largohemi nga paragjykimet, sepse qentë që kanë lehur kurrë nuk kanë arritur ta ndalin karvanin të ecë përpara sepse nuk kanë qenë ndonjëherë kërcënim serioz. Kështuqë, le të njihemi me këto personazhe unike të tre grave politikane të cilat, ndër të tjera, janë dhe besimtare praktikante.

Reklame

Şasine Kasami, kandidatja për deputet e Partisë Demokratike Turke (Türk Demokratik Partisi (TDP) ) e përzgjedhur nga partia e vetë me 224 vota prej 250 kandidatë si përfaqësuesja për zgjedhjet e 15 korrikut. Punon në Ministrinë e Financave, me detyrë Drejtoreshë e Përgjithshme e Pronave dhe Administrimit Ligjor. Me përpara ka punuar si asistente Deputeti zone si dhe Inspektore në bashkinë e Gostivarit. Zonja Kasami ka përfunduar studimet për Juridik në Universitetin e Europës Juglindore (SEEU) dhe vazhdimisht ka qenë aktive me kauzat e minoriteteve fetare dhe etnike. “Këto dy vite mandat në Ministrinë e Financave kam marr nën shqyrtim veçanërisht dosjet e kauzave të bashkësive fetare qoftë vakëfesh të muslimanëve apo ankesa dhe shqetësime të komuniteve të krishtera. Dosje të cilat janë zvarritur me vite të tëra jemi munduar t’u gjejmë një zgjidhje dhe t’i mbyllim me sukses brenda dy viteve mandat. A përfundon këtu rrugëtimi ynë? Jo kemi ende shumë punë për të bërë, me leje të Zotit si dhe me votën dhe mbështetjen tuaj!”shprehet ajo në video mesazhin të fushatës zgjedhore.

Imrane Ramadani Morina është kandidatja për deputete e BDI-së. Zonja Imrane është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. Ajo e njeh shumë mirë politikbërjen pasi gjithë jetën e saj akademike, tashmë dhe karrierën, ja ka dedikuar mësimnxënies dhe mësimdhënies së politikës. Kështu, ajo ka doktoruar në Fakultetin e Shkencave Politike në universitetin “Justiniani i Parë” në Shkup, në fushën e Shkencave Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ndërsa Masterin e ka përfunduar në degën Shkenca Politike, Politikë e Jashtme dhe Diplomaci në Universitetin FON me temë “Marrëdhëniet midis kombeve në përputhje me Kartën e Medinës”. Në të njëjtin Universitet ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Shkencave Politike Diplomaci dhe Gazetari me titull Politikolog i Diplomuar.

Prej më shumë se tre vitesh punon po në të njëjtin universitet si assistente pedagoge në Fakultetin e shkencave Juridiko-politke.

Ajo i drejtohet të gjithë bashkëkombësve të saj të tregohen të matur dhe të heqin dorë nga denigrimi i personaliteteve duke treguar etikë dhe moral gjatë kësaj fushate:
“Ju kisha lutur që të tregojmë pjekuri dhe kulturë politike, e zgjedhjet t’i kuptojmë si një mejdan ku fiton më i miri. Le t’i përvishemi punës dhe problemit në menyrën e duhur, e të garojmë me programet tona sepse vandalizmi, fyerjet dhe denigrimet asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk janë pjesë e kulturës tonë. Prandaj të kemi kujdes nga këto vepra të shëmtuara siç është gjuha e urrejtjes sepse tek e fundit, gjithsecili është përgjegjës për veprat e veta. Allahu na ruajt dhe na udhëzoftë.!”

Zelfina Sela nga Dibra e Maqedonisë së Veriut dhe ka diplomuar në fakultetin e Bioteknologjisë në qytetin e Manastirit me rezultate të larta ku ka marrë edhe titullin “Inxhinier i bioteknologjisë ushqimore”.

Pavarasisht suksesit studimor, prej vitit 2004 e deri më sot, znj. Sela nuk i është dhënë mundësia që të punësohet dhe të japë kontributin e saj profesional. Por papunësia nuk e ka bërë që ajo të dorëzohet dhe të rrijë duarkryq. Sot ajo udhëheq një dyqan të vogël rrobaqepsie në qytetin e saj. Ajo është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. Ajo e don qytetin e Dibrës dhe dëshiron më të mirën për qytetarët e saj. Atdhedashuria e saj është ushqyer mbi të gjitha nga parimet e saja fetare por dhe nga sfidat e shumta me të cilat është përballur gjatë viteve të studimit. Pikërisht mu në qytetin e Alfabetit, një vatër dije dhe qytetërimi të moçëm, asaj i është dashur të luftojë beteja të gjata si përplasje etnike, diskriminim fetar si dhe diskriminim për shkak të bindjeve ideologjike të natyrës politike, etj. Këto sfida i ka kaluar duke treguar qytetari, kulturë dhe profesionalizëm ashtu siç i ka hije një dibrani.