Karma Zaev!

Advertisment

Autor: Xhelal Neziri

Tentimi për të përgjuar kundërshtarët politik, që më pastaj të njëjtat përgjime të përdoren në fushatë parazgjedhore, nuk është një dukuri e re që ka ndodhur dhe po ndodh vetëm në Maqedoninë e Veriut. Që nga vitit 1972, kur në SHBA plasi afera e përgjimit Watergate, përdorimi i mjeteve të spiunazhit për të arritur deri te materialet diskredituese për oponentët është bërë një mjet i fuqishëm në duart e partive politike. Në atë aferë u zbulua se presidenti i atëhershëm nga Partia Republikane, Richard Nixon, kishte përgjuar shtabin zgjedhor të Partisë Demokrate. Kjo aferë bëri që Nixon të japë dorëheqje nga posti i presidentit, një akt që u vlerësua se ishte shumë i rëndësishëm në mbrojtjen e vlerave demokratike. Kjo dorëheqje sikur u dha një mësim të mirë politikanëve, jo vetëm në SHBA, por edhe në vendet tjera demokratike se përdorimi i mjeteve të spiunazhit për të luftuar oponentin politik nuk është as etike, as morale e aq më pak demokratike.

Reklame

Sidoqoftë, fushatat e fundit për zgjedhjet presidenciale sërish nxorën në sipërfaqe tentimin për t’i dhënë goditje vendimtare oponentit dhe për të fituar ndeshjen që në raundin e parë. Thyerja e fjalëkalimit të emailit të kandidates demokrate për president amerikan, Hillary Clinton, në 2016 dhe publikimi i letrave private shkaktoi reagime të ashpra në opinionin amerikan. Aq më tepër kur u zbulua se Clinton kishte përdorur emailin dhe kompjuterin e saj privat për komunikime zyrtare, gjë që u vlerësua si cenim të sigurisë kombëtare dhe të diplomatëve amerikanë anembanë botës. Nga ana tjetër, një material i përgjuar që diskreditonte kandidatin republikan për president, Donald Trump, u lëshua në media me qëllim të forcimit të pozicionit të Clinton në prag të atyre zgjedhjeve. Në përgjim dëgjohen komente të seksiste të Trump për një grua me të cilën duhej të takohej. Sa këto bomba ndikuan në dobësimin e oponentit apo për fitoren e Trumpit, nuk ka ndonjë matje krejtësisht të saktë.

Forca goditëse e përgjimeve u tregua në vendet ku publikimi i tyre solli në dorëheqjen e qeverive. Afera në të cilën u përfshi ish zv/kryeministri austriak Heinz-Christian Strache, lider i partisë së djathtë FPO, solli në dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja parlamentare. Strache ishte filmuar në një vilë në Spanjë teksa bisedonte me biznesmenë të supozuar rusë për të favorizuar ato në tregun austriak.

Në Ballkan duket se metodat e spiunimit shihen si “knockout” për kundërshtarin politik – fitore pa shumë mund apo me një goditje. Materialet e përgjuara që nuk dorëzohen në Prokurori dhe institucione tjera kompetente, por publikohen në media, kanë qëllim politik e jo juridik. Në rastet kur prokuroria dhe gjyqësori janë të kapura dhe nuk pranojnë apo reagojnë ndaj atyre materialeve, atëherë publikimi i tyre deri diku është edhe legjitim. Afera “Pronto” në Kosovë, përgjimet me ish-ministrin shqiptar të policisë Saimir Tahiri apo afera “E vërteta për Maqedoninë” ishin rezultat i mosreagimit të institucioneve, por gjithsesi se u përdorën edhe për qëllime politike.

Pasi u treguan të suksesshme, sidomos në Maqedoninë e Veriut, përgjimet dalëngadalë po bëhen normalitet i përplasjeve politike, duke lënë kështu mënjanë debatin mbi platformat, idetë dhe vizionet që partitë ofrojnë gjatë fushatës parazgjedhore. Me afrimin e 15 korrikut këto materiale gjithnjë e më shumë lëshohen në platformat e ndryshme në Internet për të degraduar, zhvleftësuar, etiketuar dhe shpartalluar kundërshtarin politik. Përplasja LSDM dhe VMRO-DPMNE në këtë fushatë ishte fokusuar pikërisht në këtë fushatë negative, apo propagandë të zezë, me ç’rast dëgjuam shumëçka për liderët e tyre Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski.

Nuk dihet nëse këto biseda të përgjuara në mënyrë të paligjshme, të cilat janë publikuar poashtu në mënyrë të paligjshme, kanë ndonjë ndikim te votuesit nga spektri politik i majtë ose i djathtë. Të gjitha anketat tregojnë se është rëndë të binden ndjekësit tradicionalë të një partie politike që të votojnë një subjekt tjetër, aq më pak gjatë fushatës parazgjedhore dhe me materiale të përgjuara, që ndryshe njihen si “bomba”. Efekti i vetëm që mund të arrijnë është shpërqendrimi i të pavendosurve nga përfshirja në politikë ose demotivimi i tyre që të votojnë në ditën e zgjedhjeve. Ky edhe duket të jetë qëllimi i qendrave të politikës që i publikojnë këto materiale.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 çmimin më të madh politik të “bombave” e pagoi BDI-ja e Ali Ahmetit, të cilit iu përgjysmuan votat dhe mandatet, ndërkohë që përgjimet e publikuara nga Zaevi nuk e dëmtuan aq sa pritej VMRO-DPMNE-në. Në këto zgjedhje duket se më i dëmtuar do të jetë Zaev, parti e cila ka fituar dy ciklet e fundit zgjedhore, por nuk ka aq ndjekës tradicional e besnikë sa partia e Mickovskit. Për dallim nga 2016, kur Zaev kishte në dorë të zgjidhte viktimat e “bombave” të tij, tani vetë ai është viktimë e përgjimeve.