Kasami: Jam gati të koalicionoj me LSDM-në, Zaev: Jam i hapur për partitë shqiptare

Advertisment

Lista zgjedhore që u paraqitën si marrëveshje për koalicionin tripalësh Aleanca për Shqiptarë, Alternativa dhe Lëvizja Besa, sipas liderit të Besës, Bilall Kasami nuk vlen të quhet as ofertë.

Në emisionin “Click plus”, Kasami tha se për shkak se ajo që u paraqit nga ASH-ja ishte joserioze, vendosi të mos hyjë në koalicion dhe të shkojë e vetme në zgjedhje. Edhe pse refuzoi koalicionin tripalësh dhe për BDI-në e quan të vetmin oponent të tyre, Kasami tha se është i hapur për koalicion me LSDM-në.

Reklame

“Do të vije momenti, që nëse ka ndonjë ofertë të mirë, do ta shqyrtojmë në organet e partisë dhe do të vendosim”

Fatmir Aliu: Mbi çfarë baze do të vendosni?
Bilall Kasami: “Mbi bazën e ofertës. Nëse do të ketë ndonjë ofertë që përputhet mbi platformën, programin e Lëvizjes BESA dhe nëse kjo do të ishte e pranuar, nga organet e lëvizjes BESA”
Fatmir Aliu: Unë ju pyeta tre herë se çfarë oferte do të pranonit. Për koalicionin me ASH-në the se nuk keni nevojë për ofertë kurse për LSDM-në thua nëse kemi ofertë…

Kasami: “Nuk është ofertë ndarja e pozicioneve në listat e deputetëve”

E i hapur për të koalicionuar jo vetëm me Besën, por me të gjitha partitë shqiptare është edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Ai tha se tash për tash kanë koalicion me BDI-në të cilin do ta vazhdojnë deri në shpërndarjen e Kuvendit.

“Ne jemi të hapur. Edhe pse janë publikuar disa bashkëpunime nga partitë shqiptare, theksoj se jemi të hapur ndaj të gjitha partive. Fillimisht kemi partner të koalicionit me BDI-në, me të cilin udhëheqim agjendë në Kuvend deri në prishjen e Qeverisë. Bashkë arritën marrëveshje historike për shtetin, sigurisht se ne jemi të hapur për bashkëpunim edhe për parti të tjera shqiptare”, deklaroi Zaev.

Deri tash koalicion parazgjedhor kanë arritur vetëm Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ndërkaq përveç Besës, të vetme në zgjedhje deri tash do të shkojnë edhe BDI, LSDM-ja, VMRO-DPMNE-ja dhe PDSH-ja. Që të gjitha partitë nuk kanë përjashtuar mundësinë që të lidhin koalicion pas zgjedhjeve të 12-prillit.