Kërçova pa Covid qendër, të infektuarit në mëshirë të fatit (video)

Advertisment

Kjo është baraka ku trajtohen pacientët me Covid -19 në Kërçovë.

Testet bëhen në këtë shator që është vendosur në mes të oborrit të spitalit.

Reklame

Ishte paraparë që në fillim të shtatorit në Kërçovë të ndërtohet një Covid qendër ku do të trajtoheshin pacientët e infektuar. Këtë e premtoi vetë drejtori i spitalit Stanko Tërpeski në muajin gusht.

“Ne jemi duke u përgatitur për në fillim të shtatorit me hapësira të reja me kushte të reja. Kjo organizata që na ndihmoi t’i përmirësojmë kushtet ku i trajtojmë pacientët dhe Covid qendra janë dy gjëra të kundërta. Pra Covid qendra do të jetë nga shtatori me Ministrinë e Shëndetësisë”, theksoi Stanko Trpeski – Drejtor i Spitalit të Kërçovës.

Por edhe pse kanë kaluar pothuajse dy muaj që nga atëherë gjërat nuk kanë lëvizur. Spitali i Kërçovës vazhdon të funksionojë pa Covid-Qendër edhe pse numri i të infektuarve kohën e fundit ka qenë tepër i lartë.

Drejtori i Spitalit të përgjithshëm Stano Trpeski nuk pranoi të flasë rreth kësaj çështje por na drejtori tek Ministri i Shëndetësisë.

Ditë më parë Ministri Venko Filipçe tha se ndërtimi i 16 kapaciteteve spitalore shtesë do të kryhet deri në fund të vitit tek disa qytete.

“Unë besoj se deri në fund të vitit disa prej tyre do të mund të vendosen do të shohim do ta ndjekim dinamikën si do të zhvillohet”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Në Kërçovë pacientët me Covid trajtohen nga Shtëpia e Shëndetit ndërsa, pacientët të cilët janë në gjendje të rëndë transportohen në klinikën e Shkupit, kurse ata me simptoma të lehta trajtohen në shtëpi.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Xhabir Bajrami thotë se vështirë përballen me koronavirusin. Shtëpia e shëndetit në Kërçovë i trajton këta raste, por nuk është punë e jona, ne mundohemi të ndihmojë sepse pacientët janë në mëshirë të fatit, thotë drejtori Bajrami.

“Ne jemi e vetmja shtëpi shëndeti në nivel të shtetit që trajtojmë pacientë Covid pozitiv, për shkaka se ata kanë ngelur në mëshirë të fatit. Deri para pak kohe kishim mirëkuptim dhe bashkëpunim me spitalin e Manastirit me klinikën 8 Shtatori dhe me spitalet tjera ku kishte vende të lira, por tani edhe atje janë mbush kapacitetet plot edhe ata nuk kanë faj dhe nuk ka vend për pacientët tonë dhe ne tani duhet të lusim për një pacientë ministër e zv/ministër dhe të gjitha strukturat politike për të dërguar një pacientë te 8 Shtatori apo në ndonjë vend tjetër”, potencoi Xhabir Bajrami – Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit.

Në Kërçovë numri i të infektuarve nga fillimi pandemisë ka arritur në 487. Raste aktive janë 124, ndërsa betejën me Covid-19 e kanë humbur 17 persona. TV21 mëson se ka pacientë të cilët kanë ndërruar jetë në shtëpi ose rrugës për në spital ngase nuk ka vend në spitale tjera shtetërore që trajtojnë pacientë me Covid-19.