Kërkesë e madhe: Air Prishtina gjatë tetorit, 3 fluturime Cyrih-Prishtinë në ditë

Advertisment

Pasi Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) e hoqi pak ditë më parë Kosovën nga lista e vendeve me rrezik në rritje të infektimit me koronavirus, janë rritur me të madhe kërkesat për fluturime drejt Ballkanit. Në këtë kontekst, Air Prishtina ka zgjeruar për një afat të shkurtër frekuencat e saj të fluturimit drejt ryeqytetit kosovar.

Kështu, ajo gjatë tetorit do të ketë deri në tri fluturime për çdo ditë, nga Cyrihu në Prishtinë, shkruan kompania në një komunikatë për media.

Reklame

Fluturimet do të zhvillohen nga kompania Chair Airlines, transmeton albinfo.ch. Ndërsa nga Bazeli, Airprishtina aktualisht fluturon katër herë në javë për në kryeqytetin kosovar, me kompaninë Enter Air.

“Në javët e fundit, dëshira e udhëtarëve tanë për udhëtim në vendlindje është bërë edhe më e theksuar. Tani po përpiqemi ta plotësojmë sa më mirë këtë kërkesë që është kumuluar”, shpjegon Leyla Ibrahimi, CEO e Air Prishtina, tranmseton albinfo.ch.

Ndërkohë, kërkesa nuk përqendrohet vetëm në pushimet shkollore e vjeshtës, por ka të bëjë edhe me mundësinë për të parë përsëri familjet dhe miqtë pas një kohe të gjatë, qoftë edhe vetëm për një fundjavë të zgjatur.

Për sa u përket çmimeve, ato janë në nivel normal si në kohërat para Koronës, pavarësisht kërkesës së rritur, sqaron zonja Ibrahimi, përcjell albinfo.ch. Kthimi në operacionet normale, por në nivel pak më të ulët se në vitin e kaluar, është planifikuar për në nëntor, kur do të ketë një fluturim ditor në linjën Cyrih – Prishtinë.

“Në rast të një kërkese të ndryshuar, megjithatë, ne mbetemi fleksibël dhe mund të reagojmë në përputhje me rrethanat,” bën të ditur Leyla Ibrahimi.

Përveç fluturimeve për në Kosovë, Air Prishtina ofron po ashtu edhe fluturime nga Cyrihu për Shkup dhe Ohër në Maqedoninë e Veriut, përmes airprishtina.com.