Kërkohet rritja e përkrahjes për fëmijët me autizëm

Në tre vjetorin e themelimit të qendrës së Autizmit “Fluturo për Jetën” pjesë e shoqatës “Purpura” është mbajtur një konferencë në Tetovë kushtuar autizmit, kurse theksi kësaj radhe ishte tek familja. Në konferencë kishte të pranishëm mysafir të shumtë nga vendi, Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi .Tashmë, në këtë qendër shërbime marrin fëmijë me autizëm jo vetëm nga vendi por edhe nga Kosova. Ofrohet trajtim profesional me qëllim që familjet ta kenë më të lehtë të kalojnë problemet me fëmijët autik. Fatjona Geci nga Qendra “Fluturo për Jetën” tha se shtetin dhe institucionet kjo dukuri i ka kapur të pa përgatitur. Sipas saj duhet që institucionet të bëjnë shumë më shumë për këtë kategori fëmijësh e jo të maltretohen për një asistencë sociale.

“Edicionin e tretë ua kemi dedikuar familjes, prindërve kryesisht nënave, të cilat jo në pakë raste nga rrethi më i gjerë nga shoqëria, edhe nga institucionet shpesh herë lihen vetëm, me problematikat e tyre. Fakt që janë duke u identifikuar sa më shumë fëmijë me këtë spektër, duket se i ka gjetur pak të pa përgatitur edhe institucionet. Ky kontribut i tyre është akoma minimal, pasi duhet parë proceduarat që duhet të ndjekin prindërit për të marrë një asistencë sociale, që janë shpeshherë të stërzgjatura dhe të ngarkuara”, thotë Fatjona Geci, drejtoreshë e Qendrës së Autizmit “Fluturo për Jetën” me seli në Tetovë.

Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami garantoi mbështetje të vazhdueshme për këtë qendër duke theksuar se do të jetë pjesë aktive e këtij procesi, për të ndihmuar familjet dhe fëmijët që përballen me autizëm. “Ne si komunë do mundohemi dhe të përkrahim familjet të cilat ballafaqohen me fëmijë të tillë. Kjo përkrahje jonë ka të bëjë në atë drejtim duke ju ndihmuar atyre që sa më lehtë dhe sa më mirë të kalojnë këtë situatë që këta fëmijë nesër të jenë një pjesë aktive e shoqërisë sonë dhe duke krijuar kushte dhe mundësi, veçmas në pushtetin lokal që kjo pjesë e shoqërisë të ndjehet e barabartë me pjesën tjetër”, tha Kasami. Prindërit të cilët kanë fëmijë me autizëm, kanë ndarë përvojat e tyre me të pranishmit rreth sfidave që kanë duke dhënë edhe mesazhe inkurajuese për të gjithë prindërit që kanë fëmijë autik. Në fillim Qendra Fluturo për Jetën ka dhënë shërbime për 12 fëmijë duke ofruar shërbime terapeutike të certifikuara. Me kalimin e kohës janë shtuar nevojat për zgjerimin e kapaciteteve. (koha.mk)