Sot në seancën e jashtëzakonshme të këshillit komunal – Tetovë kaloi propozimi për pezullimin e PDU-së së KIP “Jellak”-ut. Me 18 vota Për, asnjë Kundër, asnjë të Përmbajtur , njofton Nistori.
“Ashtu siç është paraparë ai plan urbanistik që parasheh ndërtimin e një muri komplet gjatë bulevardit në rrugë industriale në atë pjesë dhe mund të paraqes rrezik për shtimin e mëtutjeshëm të ndotjes së ambientit si dhe interesit publik, unë si kryetar komune duke pasur parasysh se edhe në mbledhjen paraprake për çështje procedurale nuk arriti që kjo pikë të jetë në rend dite, e pash të arsyeshme që të thërras mbledhje të jashtëzakonshme dhe të niset iniciativa për rrishqyrtimin e atij plani që pastaj të përgaditet ashtu siç është paraparë nga elaborat, ekspert të fushës dhe këshilli të sjellë vendim a do të pezullohet apo jo”, deklaroi Kasami.
Ndryshe, në seancën e katërt ky propozim dështoi të futet në rend dite për shkak se pozita nuk i kishte numrat, përkatësisht kishte 15 vota e jo 16, sepse mungoi këshilltarja e Lëvizjes Besa. Mungesa e këshilltares, sipas Kasamit ishte për arsye shëndetësore dhe nuk arriti në kohë.
“Ne të gjithë jemi njerëz, mund të ndodh që të sëmuremi. Këshilltarja ka qenë në një kontrollë në spital dhe pastaj erdhi. Kështu që nuk besoj se ka ndonjë dilemë të tillë. Sigurisht që përkushtimi im si kryetar, besoj edhe këshilli është që rishqyrtohet ai plan dhe nga fillimi të nisin të gjitha procedurat që parashihen me ligj.” – deklaroi Kasami. (sinc 18 dhjetor 2021).
Plani i Detajuar Urbanistik (PDU) me vlerë prej 200 milionë euro u votua në qeverisjen e kaluar në komunën e Tetovës nga LSDM, BDI dhe ASh. Biznesmeni kontravers Miodrag Daka Davidoviq është i njohur nga bisedat e publikuara para zgjedhjeve parlamentare, në të cilat dëgjohet qartë se ai ka dhënë 300 mijë euro me qëllim për t’iu kryer punët, ndërsa përveç kësaj premton 2,000 metra katror tokë dhe 2 milionë euro nëse përfundon puna në lidhje me KIP Jellak-Tetovë”. /Nistori/









