Kjo është paga që Gjermania ofron për infermierët nga Ballkani

232

Klinikat gjermane paguajnë deri në 15 000 euro për të sjellë një infermiere nga Ballkani Perëndimor.

Një biznes i majmë për ndërmjetësit, dhe ajo që bëjnë disa, është thuajse tregti me njerëz, thotë DW.

Ajo e ashtuquajtur: Industri e emigracionit që lindi në njërën anë nga mjerimi në Ballkan dhe në anën tjetër nga nevoja e madhe gjermane për punonjës të profesioneve mjekësore. Prej vitesh agjencitë e ndërmjetësimit dhe ndërmjetësit e tyre rendin në kërkim të punonjësve nga Ballkani Perëndimor dhe favoreve nga klinikat dhe azilet gjermane, të cilat ofrojnë shpërblime të majme për ndërmjetësimin, thekson gjigandi mediatik gjerman.

Sipas tij, agjencia gjermane e punësimit kohët e fundit numëronte në sektorin e mjekësisë gjithsej 50 000 qytetarë nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Serbia, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi); kjo do të thotë gati 6 500 më shumë sesa një vit më parë.

Sipas parashikimeve, brenda pesë vitesh në Gjermani do të mungojnë rreth 200 000 infermierë dhe sanitarë.

“Nuk ka më kuptim të nxjerrësh njoftime me kërkesa për këto vende pune në Gjermani. Askush nuk përgjigjet”, thotë shefi i kuadrit të një zinxhiri të madh të azileve të pleqve, që ofron hapësirë​ banimi për më shumë se 7 000 të moshuar.

Ata janë tani gati t’u paguajnë ndërmjetësuesve rreth 10 000 euro për gjetjen e një infermieri. Kjo firmë e anuloi intervistën, që kishte planifikuar të bënte me DW, pak para se të zhvillohej. Ata nuk janë të vetmit, që s‘duan ta diskutojnë këtë temë në publik.

Shumë ndërmjetës thonë se marrin deri në 15 000 euro për një infermiere, që e sjellin nga Ballkani në Gjermani. Kjo shumë ndahet me shkollat ​​e gjuhës dhe rekrutuesit në vend. Vlerësohet se kjo industri nxjerr disa qindra milion euro në vit dhe në shumicën e rasteve vështirë se ndjehet e lidhur me ndonjë rregull.