Klubet e Kosovës kërkojnë vaksinimin para ndeshjeve në garat evropiane

Dy skuadra e Kosovës kanë siguruar kalimin në garat evropiane për sezonin 2021/22.

KF Llapi si kampion i Kupës së Kosovës ka siguruar kalimin në fazat kualifikuese të UEFA Conference League, ndërsa FC Prishtina si kampione e Kosovës në Superligë do të garojë në ndeshjet prelimiare të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve, ndërsa skuadra e tretë që do të luajë në Evropë do të përcaktohet me përfundimin e kampionatit këtë fundjavë, shkruan GazetaBlic Sport.

Reklame

Vitin e kaluar, skuadrat kosovare kishin mjaft probleme – pasi shumë lojtarë kishin rezultuar pozitiv me COVID-19. E, që ky problem të mos përsëritet edhe në këtë vit, presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi ka kërkuar që lojtarët dhe stafi i ekipeve që garojnë në Evropë të vaksinohen para udhëtimit në vendet përkatëse.

“Vjet dy herë kemi shkuar në Gjibraltar për ndeshjet tona evropiane. Këtu dilnim negativ, pastaj atje dilnim pozitve dhe dihen humbjet nga kjo. Kështu që apeloj Ministrinë e Shëndetësisë që klubet që sivjet marrin pjesë në gara evropiane t’u jepet mundësia për vaksinim sepse nëse nuk vaksinohemi dhe e lëmë punën te testet atëherë sërish mund të përsëriten rastet e njëjta dhe humbjet për ne.

Vjet pësuam humbje financiare e sportive, dhe sivjet po apeloj te ministri Arben Vitia që të na jep mundësi nga java e ardhshme për ta marrë dozën e parë të vaksinës dhe dozën e dytë ta marrim pak para udhëtimeve. Pra të vaksinohen të tria klubet që do ta përfaqësojnë Kosovën në Evropë”, ka thënë në “Klan Kosova” presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi.

Në lidhje me këtë kërkesë të Remzi Ejupit, ‘GazetaBlic Sport’ ka kontaktuar me zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hotin, i cili tha se çdo kërkesë e veçantë do të shqyrtohet nga Komiteti për vaksinim.