Komisioni Europian: 20 miliardë euro investime për Ballkanin Perëndimor

Advertisment

Komisioni Evropian synon që, gjatë dekadës së ardhshme, të investojë deri në 20 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, në draft-dokument theksohet se prioritet do të jenë lidhjet më të mira të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, brenda rajonit, por edhe me Bashkimin Evropian.

Reklame

“Një gjë e tillë kërkon një angazhim të fuqishëm nga Ballkani Perëndimor për zbatimin e reformave themelore, për thellimin e integrimit ekonomik rajonal dhe për zhvillimin e një tregu të përbashkët rajonal, bazuar në legjislacionin e BE-së, për ta bërë rajonin një zonë më tërheqëse për investime“, thuhet në dokument.

Paketa, e paralajmëruar në kulmin e krizës nga pandemia COVID-19, do të paraqitet nga Komisioni Evropian të martën pasdite.

Bashkimi Evropian konfirmon se rajoni do të përfitojë shumë nga përpjekjet e intensifikuara, që synojnë “kapërcimin e trashëgimisë së të kaluarës, jo vetëm në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, por edhe të përfundimit me sukses të dialogut, me ndihmën e BE-së“.

Paketa po ashtu parashikon që, përveç granteve, Bashkimi Evropian të ofrojë garanci që ndihmojnë në uljen e kostove për investime publike dhe private dhe, në këtë mënyrë, zvogëlojnë rreziqet për investitorët.