Komisioni i Sëmundjeve Infektive sot vendos për masat e reja

Advertisment

Komisioni për Sëmundje Infektive sot do të zhvillojë mbledhje në të cilën do të vendoset për kthimin eventual të orës policore ose nëse do të veprohet në mënyrë më rigoroze ndaj masave tashmë të miratuara, siç është mbajtja e maskës mbrojtëse, mbajtja e distancës prej dy metra dhe jo grupime, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit KOVID-19. Pas vendimit të Komisionit, i njëjti vendim do t’i paraqitet Qeverisë, e cila do ta marrë vendimin përfundimtar.

Jozyrtarisht mësohet se nuk do të propozohet heqja e orës policore, ndërsa në mënyrë plotësuese do të bisedohet edhe për masa tjera lehtësues. Në takimin e djeshëm, Komisioni nuk ka konstatuar masa lehtësuese apo shtrënguese.

Reklame

Pasi javën e kaluar u regjistrua një numër më i madh i të infektuarve me virusin, qeveria miratoi vendim të gjitha komunat në qytetin e Shkupit, komunat përreth Shkupit Haraçinë, Zelenikovë, Ilinden, Petrovec dhe Studeniçan, në Kumanovë, Likovë, Shtip, Karbincë, Tetovë, si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunovcë, ku janë regjistruar numri më i madh i rasteve pozitive të koronavirusit, të vendosën në karantinë të plotë nga e premtja deri mëngjesin e sotëm 5:00, ndërsa në qytetet tjera ora policore fillonte në ora 16:00. Në territorin e të gjithë vendit është vendosur ndalesë për të vizituar varrezat.

Para fillimit të orës policore në Shkup, shumë qytetarë shkuan në vendet turistike në vend, ku kishte kufizime më të buta. Si rezultat, qytetarët e mbetur në Shkup reaguan ashpër në mediat sociale se veprime të tilla mund të shkaktojnë vatra të reja në vendet ku pothuajse edhe nuk ka njerëz të infektuar.

Lidhur me këtë, Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se pritej që qytetarët të shkonin në vendet turistike për fundjavë të zgjatur, duke theksuar se kudo që të jenë, janë të detyrueshëm t’i respektojnë masat në mënyrë që mos të përhapet infeksioni.

Inspektorati i tregut ngriti 22 kallëzime penale këtë fundjavë për mosrespektim të masave të qeverisë nga objektet e kategorizuara për akomodim dhe hotelieri. Tetë kallëzime penale u ngritën në Ohër, katër në Strugë, pesë në Manastir, tre në Dojran dhe një në Ponikva dhe Mavrovë.