Kompania që themeloi kryeministri Kovaçevski do të prodhojë panele solare në Tetovë

Kompania Pikcell Group, ish pronar i së cilës është kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski, do të ndërtojë fabrikën për prodhimin e paneleve diellore për termocentralet fotovoltaike në zonën industriale në Tetovë.

Përveç Pikcell Group, aksione në këtë kompani ka edhe SH.A.. Solar Horizon nga Sofja, kompani përmes së cilës paralajmërohet investim i madh gjerman.Kompania u themelua me 250 aksione, secila me vlerë nominale prej 100 euro. I mbetet Qeverisë të njoftojë investitorin e madh gjerman, me të cilin duhet të lidhen dy kontrata për ndihmë shtetërore, njëra për dhënien me qira të tokës ndërtimore dhe tjetra për projektin e investimit.

Sipas “Faktor”, panelet diellore do të prodhohen më së shumti për eksport dhe në fabrikë fillimisht do të punësohen rreth 200 punëtorë. Aktiviteti i kompanisë do të jetë “prodhimi i pajisjeve të shpërndarjes dhe kontrollit të energjisë elektrike”.Goranço Paunov, ish-partner biznesor dhe kumbar i kryeministrit Kovaçevski, pronar aktual i Pikcell Group, është njëri nga dy drejtorët ekzekutivë, ndërsa kryetar i Bordit të Drejtorëve është profesori Ilija Nasov, si anëtar joekzekutiv.

Pikcell Group në shtator të vitit 2020 njoftoi tërheqjen e plotë të Dimitar Kovaçevskit, atëherë si i sapoemëruar zëvendësministër i Financave. Sipas njoftimit, Kovaçevski kishte tërhequr plotësisht shumën financiare të investuara për të siguruar likuiditetin fillestar të kompanisë.