Komuna e Gostivarit ankohet për diskriminim nga Qeveria

Komuna e Gostivarit sot përmes një kumtese për media është ankuar se pushteti qëllimisht po tenton ta dëmtojë Gostivarin në prag të zgjedhjeve lokale, duke mos i dedukar asnjë cent nga 9.9 milion eurot për projekte infrastrukturore.

Edhe pse nga Qeveria ishin betuar për zhvillim të barabartë rajonal, nga komuna e Gostivarit shprehen se në terren po punohet krejtësisht ndryshe.

Komuna e Gostivarit siç njoftojnë, kanë konkuruar me disa projekte por nuk është pranuar asnjëra.

Por edhe përskaj mos mbështetjes nga Qeveria, kryetari i Gostivarit Arben Taravari së fundmi doli të jetë kryetari i dytë më i dashur për qytetarët në nivel lokal në Maqedoni.

“Nga 9.9 milionë euro mjete për realizimin e projekteve infraskuturore nga programi i TAV-Maqedoni, Gostivari nuk mori asnjë cent. Qeveria tha se vazhdon të punoj për zhvillim të barabartë rajonal, megjithatë në terren punon ndryshe. Me 9.9 milionë euro do të financohen ndërtimi i rrjeteve të ujësjellësit, kanalizimeve, rikonstruktim i rrugëve dhe institucione arsimore.

Edhe pse Gostivari konkurroi me disa projekte, asnjëri prej tyre nuk u pranua nga Qeveria. Gostivari është i përfshirë me 30 milion denarë, për spitalin! E vetmja Komunë ku investohet në spital, institucion që nuk është në kompetencë të Komunës dhe për të cilin duhet të kujdeset Ministria e shëndetësisë.

Me këtë gjest, pushteti qendror, Gostivarin dëshiron ta nxjerrë keq në prag të zgjedhjeve lokale për gjoja se në komunën e vetme urbane e cila udhëhiqet nga opozita shqiptare, mungojnë investimet.

Gostivarasit nuk duan asfalt, ujësjellës dhe kanalizim parazgjedhor, pasi të gjitha nevojat e tyre edhe përskaj pengesave nga Qeveria, janë përmbushur. Sukseshëm e nisëm dhe ashtu e mbyllim mandatin katërvjeçar. Me gostivarasit jemi gati dhe do ta fitojmë edhe një mandat tjetër të suksesshëm”, thuhet në kumtesën e komunës së Gostivarit.