Koronavirusi, Italia me “pasaporta imuniteti”

Italia ka në plan të rrisë numrin e testimeve ndaj koronavirusit si dhe të përdorë teknologjinë e gjurmimit të kontakteve, sapo të përfundojë afati i masave kufizuese që pritet të jenë në fuqi të paktën deri më 3 maj.

Komisioneri i Posaçëm për Emergjencat ndaj Viruseve, Domenico Arcuri, tha për televizionin “SKY TG24” se italianët do t’i nështrohen testeve të detyrueshme të gjakut, që do krijonin siç tha ai, të ashtuquajturën sistemi i “pasaportave të imunitetit”.

Aplikacionet e gjurmimit të kontakteve të mund të shkarkohen në celular do t’u mundësonin njerëzve të dinin nëse kishin qenë në kontakt me dikë i cili ka rezultuar pozitiv ndaj virusit. Atëherë ata do të mund të testoheshin në një përpjekje për të kufizuar përhapjen e mëtejshme të COVID-19.

Testet e gjakut që identifikojnë antitrupat janë ende duke u zhvilluar. Virologët kanë tërhequr vëmendje se testet nuk do të jenë një dëshmi se personi ka fituar imunitet, por do të japin informacion nëse një person ka qenë në kontakt me virusin. Nëse një test për antitrupa rezulton pozitiv, do të nevojiteshin thonë ata, të tjera teste për të mësuar nëse virusi është ende aktiv. Qëllimi i zyrtarëve të shëndetit publik është të përcaktojnë se sa zgjat imuniteti ndaj këtij lloj virusi.

Të premten Presidenti Donald Trump urdhëroi zyrtarët e administratës së tij të ndihmojnë Italinë në përpjekjet e saj ndaj koronavirusit duke i siguruar pajisje mjekësore, ndihmë humanitare dhe ndihma në forma të tjera. Në mesin e masave përfshihet vënia në dispozicion e personelit ushtarak amerikan në vend, për shërbimet e telemjekësisë, ndihmë për ngritjen e spitaleve të përkohshëm dhe furnizimimin me pajisje.

“Italia, një nga aleatët tanë më të afërt e më të vjetër, po shkatërrohet nga pandemia e COVID-19, që tashmë ka marrë më shumë se 18,000 jetë në këtë vend. Pandemia ka çuar sistemin italian të kujdesit shëndetësor në prag të kolapsi dhe po kërcënon ta fusë ekonominë italiane në recesion të thellë”, shkruante zoti Trump në një dokument që autorizonte dhënien e ndihmës.

Italia ka aktualisht numrin më të madh të vdekjeve në botë si pasojë e virusit COVID-19, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara.