Koronavirusi ka qarkulluar që në muajin janar në Shqipëri, ja kush e thotë (video)

Eduard Kakarriqi, epidemiolog dhe virolog i njohur shqiptar ka deklaruar Covid-19 ka qarkulluar në vendin tonë që në muajin janar të këtij viti.

Në një intervistë për “AbcNeës”, Kakarriqi u shpreh se fakti që ky virus ka qarkulluar shumë më herët në vend, para se të konfirmohej rasti i parë, do të sjellë edhe uljen e kurbës.
“Unë dua të vë theksin se OBSH vetëm me datën 27 shkurt publikon dhe përkufizon publikimin e rastit për pacientët me sëmundje Covid-19.

Ky përkufizim i munguar për të gjithë vendet mund të jetë një bazament që të tregojë se vërtet ka pasur një qarkullim të Covid-19 duke filluar që në janar në vendin tonë. Ky qarkullim ka ardhur duke u rritur për të marrë më shumë në fund të javës së dytë të shkurtit, në fillim të marsit një formë për ulje ngritje, por me një pritje drejt uljes në fund të prillit dhe fillim të majit. Janë fakte pak a shumë jo të drejtpërdrejta që qarkullimi i Covid në vendin tonë, fillesat i ka në janar. Kjo gjë dikton edhe pritjen tonë për rënien e kurbës për një kohë të afërt”, theksoi Kakarriqi.

Sipas tij, java e dytë e majit do të ketë vetëm raste sporadike, ndërsa në Shqipëri vera do të jetë e qetë. Ndryshe nga çfarë kanë pretenduar shumë ekspertë, Kakarriqi tha se virusi nuk do të kthehet aspak në vjeshtë.

“Unë në gjykimin e tim mendoj se gjysma e dytë e muajit maj do të jetë në një rënie jo të vogël rastesh, do të kalojë në një kurbë të rasteve sporadike për të kaluar më pas në qershor, dhe korrik, në muaj të qetë të verës. Por për gjykimin tim për të mos pasur një rikthim në vjeshtë. Për mua në verë virusi zhduket. Në Shqipëri dhe në Evropë. Në Amerikë jo them, ndoshta nga fundi i verës, dhe nga fundi i verës ai mbetet vetëm në Kinë”, u shpreh epidemiologu i njohur shqiptar.

Ky është eksperti i parë që e bën këtë deklaratë. Më herët, shumë epidemiologë kanë folur për një rikthim të Covid-19 në vjeshtë dhe madje për një egërsim të tijin, në dimrin e ardhshëm. Ndërkohë në Shqipëri ka shkuar në 383 numri i të infektuarve nga koronavirusi.