Koronavirusi ka zbrazur arkat e komunave në Maqedoninë e Veriut

Advertisment

Autoritetet e pushtetit lokal në Maqedoninë e Veriut thonë se kriza me koronavirus ka shkaktuar edhe dëme në buxhetet komunale, për shkak se është bllokuar në masë të madhe realizimi i projekteve të parapara për këtë vit.

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, thotë për Radion Evropa e Lirë se pandemia e koronavirusit ia ka ndalur hovin realizimit të investimeve, që zakonisht bëhen gjatë periudhës së verës.

Reklame

Merko shton se shpresojnë që situata të përmirësohet dhe projektet e parapara të realizohen.

“Arka komunale, në njëfarë forme është zbehur gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit, por me pretendime se do të përmirësohet në të ardhmen dhe me këtë do të mund të realizojmë projektet që i kemi paraparë me buxhetin e vitit 2020”, thekson Merko, duke shtuar se më shumë ndërmarrje publike, që janë nën ombrellën e pushteti lokal, do të kenë nevojë serioze për ndihmë nga pushteti qendror, për shkak se këto ndërmarrje nuk kanë arritur të realizojnë pagesat e shërbimeve.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Velesit, Ace Kocevski, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë mjete që ishin dedikuar për aktivitete kulturore, sportive e aktivitete tjera, tashmë janë riorientuar për menaxhimin e krizës së koronavirusit.

Kocevski thotë se dëmet e shkaktuara si pasojë e krizës së koronavirusit, do të paraqesin problem edhe gjatë vitit 2021.

“Shumë manifestime, që u anuluan për shkak të koronavirusit, mjetet që ishin paraparë për realizimin e tyre i kemi riorientuar për zbatimin e rekomandimeve për mbrojtje nga koronavirusi, siç është blerja e mjeteve mbrojtëse për personalin mjekësor të institucioneve shëndetësore, që janë nën ombrellën e komunës. I kemi liruar për disa muaj nga pagesa e qirasë të gjitha kompanitë që shfrytëzojnë objektet afariste, që janë pronë e komunës. Në një mënyrë, politikat komunale i kemi orientuar në drejtim të mbajtjes në këmbë të shumë subjekteve afariste, që i ka gjunjëzuar kriza e koronavirusit”, thotë Kocevski.

Gjatë kohës së pandemisë, të hyrat në buxhetin e Komunës Çair të Shkupit, kanë rënë për 70 për qind, thotë kryetari i kësaj komune, Visar Ganiu.

“Tani muajve të fundit mund të them se pak gjërat kanë filluar të lëvizin nga e mbara. Shumë nga projektet që i kishim planifikuar që t’i realizonim në kohën e fillimit të pandemisë, i alokuam apo i stopuam për një kohë, për shkak se nuk e dinim se çfarë rrjedhe do të marrë virusi në fjalë. Gjatë kësaj periudhe, dolën edhe shpenzime që nuk i kishim paraparë, por është dashur që t’i ndërmarrim, siç është dezinfektimi i rrugëve, objekteve etj”, thotë kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se komunat në Maqedoninë e Veriut edhe para pandemisë kanë realizuar projekte, duke u mbështetur në hua të ndryshme. Por, sipas tyre, tani komunat kanë thelluar borxhet dhe ato do t’i kthejnë me norma të larta të interesit.

“Efekti më i dukshëm nga pasojat e koronavirusit, që do të paraqitet nga aspekti financiar, është se si Maqedonia e Veriut do të mbijetojë financiarisht në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor, që paraqet margjinën kohore, kur autoritetet komunale përmbyllin vitin 2020, që është vit me rezultate shumë të dobëta dhe negative. Përpos projekteve, që do të mund të realizohen përmes huave, besoj që të gjitha projektet që kanë qenë projekte strategjike të komunave, do të prolongohen për vitin 2021”, thotë njohësi i çështjeve ekonomike, Alaudin Zeqiri.

Kryetarët e komunave thonë se për shkak të koronavirusit, shumë resurse administrative janë riorientuar në hartimin e projekteve, me qëllim që të jenë të gatshëm të aplikojnë për donacione apo grante, që t’i realizojnë ato.

Ndryshe, buxhetet e komunave në Maqedoninë e Veriut mbushen përmes burimeve vetanake, donacioneve nga buxheti qendror, nga fonde të ndryshe dhe përmes huamarrjeve.

Financimi i komunave përmes burimeve vetanake bëhet përmes mbledhjes së tatimeve lokale, taksave, të ardhurave në pronë dhe pagesave të tjera lokale.