Koronavirusi, kursimi i të pasurve dhe kriza ekzistenciale e të varfërve

Izet Zeqiri

Si shkak i COVID-19 shumë veprimtari kanë shënuar humbje të mëdha, njerëzit nuk kanë shpenzuar në gjësende tjera përveç ushqimeve. Nëse i referohemi asaj se çka kanë shpenzuar më shumë familjet në këto 44 ditë të krizës, do të shohim se më shumë është shpenzuar në blerjen e ushqimeve që në strukturën e shpenzimeve mesatare të një familje janë 42.7% brenda një viti, megjithatë shkaku i panikut shpenzimet në ushqime janë rritur për të krijuar rezerva në ushqime.

Kurse shpenzimet tjerat siç janë veshjet dhe veshmbathjet e ndryshme, mobilje, mallra dhe shërbime tjera duke përfshirë shpenzimet në restorante dhe hotele kanë rënie të tërësishme në shpenzime, pasi kanë qenë të mbyllura.Kjo tregon se të pasurit dhe ata të punësuarit që kanë pasur paga të rregullta në këtë periudhë edhe kanë kursyer duke mos bërë shpenzime jashtë gjësendeve për ushqim.

Por krahas të pasurve të varfrit kanë krizë ekzistenciale, virusi COVID-19 ka thelluar ende varfërinë në vend. Numri i të varfërve në Republikën e Maqedonisë së Veriut është afro 500.000 banorë, por ky numër është rritur dukshëm muajt e fundit. Krizë ekzistenciale nuk kanë vetëm të papunët, po të analizojmë strukturën e të varfërve do të shohim se 9% e të punësuarve janë të varfër, nga të papunësuarit 38.7% janë të varfër, pensionistët 7.7% janë të varfër dhe të tjerët janë popullata joaktive 32.1% që gjithashtu janë të varfër.

Po të përdorim tregues suplementar dhe analiza të tjera pse një pjesë e popullatës gjenden në hendek të varfërisë do të vijmë në përfundim se kjo ndodh si rezultat i shpërndarjes së pabarabartë të të ardhurave, ku një përqindje e madhe e të ardhurave totale shkon te një përqindje e vogël e popullsisë pasi të pasurit marrin më shumë të ardhura se sa të varfëritë. Pra, papunësia dhe mos shpërndarja e të ardhurave në mënyrë të pabarabartë sot ka mundësuar që treguesit social në shumë rajone, apo zona ku jetojnë shqiptarët, të jenë shumë të ulët.

Mungesa e vetëdijes publike për shtrirjen e varfërisë ndoshta qëndron në “dukshmërinë” e pakët të të varfërve, apo në mosgatishmërinë për të vizituar rajonet, ku është përqendruar varfëria nga ata që e marrin kontrollin e ligjshëm të qeverisjes nëpërmjet procesit elektoral. E mira është se kjo varfëri ri zbulohet nga ata që kërkojnë solidaritet partiak dhe këto të varfër aderohen, por jo në mënyrë të vazhdueshme, siç ka thënë Charles Booth-i: “Në mënyrë periodike kur vjen koha e zgjedhjeve pasi vetëm atëherë mjerimi i të varfërve e ngacmon ndërgjegjen e politikanëve dhe klasës së ngeshme”, e keqja është se në mënyrë të shpejtë interesi për këta të shkretë venitet.

Tabela e strukturës së shpenzimeve të një familje për një vit.