Koronavirusi po përdoret nga shtetet për të fituar pushtet?

Advertisment

Disa nga liderët e Evropës janë akuzuar se duan të përfitojnë nga kriza e shëndetit publik për të forcuar pushtetin e tyre.

Ndërsa Turqia arreston qindra persona për postime në media sociale dhe rusët janë kërcënuar me burg për çdo lajm të konsideruar të pavërtetë, në Poloni ekziston frika se demokracia po rrezikohet kurse në Hungari, demokracia është në pikëpyetje.

Reklame

Korrespondentët e BBC vlerësojnë nëse koronavirusi është duke u përdorur si mbulesë për forcimin e pushtetit të qeverisë.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban është akuzuar se po përdor krizën e koronavirusit për të pasur në duart e tij edhe më shumë pushtet, në vend që të bashkojë vendin.

Së pari qeveria e tij shpalli një gjendje rreziku në 11 mars, duke fituar kohë të vlefshme për t’u përgatitur për pandeminë. Por më pas qeveria e përdori shumicën e saj në parlament, për ta zgjatur këtë kohë pafundësisht. Qeveria e Orban tani ka fuqinë të sundojë me dekret për aq kohë sa është e nevojshme dhe mund të vendosë vetë kur rreziku ka mbaruar.

Udhëheqësi luftarak i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, nuk ka nevojë të përdorë shpërthimin e koronavirusit, pasi i gjithë pushteti është pothuaj në duart e tij.

Por,gjatë situatës së krijuar nga koronavirusi, qeveria e Turqisë është e vendosur të kontrollojë informacionin në media. Qindra janë arrestuar për ‘postime provokuese’ rreth Covid-19 në mediat sociale.

Pak mjekë kanë guxuar të flasin. ‘Fshehja e fakteve dhe krijimi i një monopoli informacioni, për fat të keq janë bërë mënyrat sesi po qeveriset ky vend,’ – thotë Ali Cerkezoglu i Shoqatës Mjekësore Turke. ‘Mjekët, infermierët dhe punonjësit e shëndetësisë janë mësuar me të në 20 vitet e fundit’.

Në Rusi, koronavirusi po prish planet e Putin. Kremlini do të rishkruante Kushtetutën ruse, kryesisht për të lejuar Vladimir Putin të qëndrojë në pozitë për dy mandate të tjera. Në situatën e krijuar, presidentit Putin i është dashur të shtyjë votimin.

Rusët kanë tendencë të fajësojnë zyrtarët vendas dhe burokratët, jo autoritetin qendror, për problemet e tyre të përditshme. Kjo mund të shpjegojë arsyen pse udhëheqësi i Kremlinit kohët e fundit ua ka deleguar pushtetin, qeveritarëve rajonalë për të luftuar koronavirusin: tani ata ndajnë përgjegjësinë.

Një ligj i ri ka vendosur dënime të ashpra për njerëzit që përhapin informacione të rremë për koronavirusin: gjobë ekuivalente me 25,000 dollarë ose deri në pesë vjet burg.

Partia qeverisëse e Polonisë do të mbajë zgjedhjet presidenciale në maj dhe është akuzuar që po rrezikon jetën e mijra qytetarëve me një vendim të tillë. Presidenti Andrzej Duda, ka parë numrat e tij të rriten në sondazhet e bëra gjatë pandemisë dhe është i preferuari për të fituar zgjedhjet.

Grupet e të drejtave të njeriut shprehen se, nëse zgjedhjet zhvillohen në maj, ato nuk do të ishin të drejta, sepse kandidatët kanë ndërprerë fushatat e tyre ndërsa kryetari ende gëzon një mbulim të gjerë mediatik duke ndihmuar qeverinë dhe vizituar punonjësit e kujdesit shëndetësor.