Korrupsioni në Shqipëri, më i larti në rajon

35

Korrupsioni në Shqipëri është tri herë më i lartë se në vendet e tjera të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore. Nuk ka krahasim me vendet e BE-së, ku duam të hapim negociatat për anëtarësim. Shifra më e lartë në rajon vjen nga Banka Botërore në raportin e saj të fundit ‘Vrojtimi i sipërmarrjeve’, shkruan Ballkan Web.

Në raport jepet alarmi për nivelin e lartë të korrupsionit në 6 vjetët e fundit në Shqipëri. Në pyetësorin e kryer me bizneset ne Shqipëri, rezulton se 36.1% e tyre kanë pranuar se është kërkuar ryshfet nga ana e zyrtarëve të paktën një herë.

Por, kërkesa për ryshfet në Shqipëri është tri herë më e lartë se mesatarja e Europës Lindore dhe Azisë, e cila arrin në 11.9 % ndërsa ajo globale është 17.4%. Bizneset janë pyetur edhe për kontaktet që kanë me autoritet fiskale, nga të cilat rezulton se 34.6% e firmave duhet të japin dhurata në takime me zyrtarët e taksave, një shifër kjo gati katër herë më e lartë se vendet e Europës.

 

Sipas raportit, korrupsioni nga zyrtarët publikë mund të jetë një barrë e madhe administrative dhe financiare për firmat, duke krijuar një mjedis të pafavorshëm të të bërit biznes dhe rrit kostot dhe rreziqet që lidhen me drejtimin e një firme private.

Banka Botërore kryen të ashtuquajturin vrojtimi i sipërmarrjeve në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, ku kompanitë pyeten për çështje kyç që lidhen me klimën e biznesit si korrupsioni, taksat, krimi. Ky raport i Bankës Botërore publikohet një herë në gjashtë vjet dhe treguesit e tij kanë një përkeqësim gati dyfish nga raporti i fundit i vitit 2013, përcjell Albinfo.ch.