Vetëm në dy ditët e fundit në Kosovë, 31 persona kanë humbur jetën si pasojë e coronavirusit.

Dita më e zezë për Kosovën që nga fillimi i pandemisë COVID-19, u shënua ditën e enjte, ku 16 persona humbën betejën me virusin brenda 24 orëve, shkruan Reporteri.net.

Numër i lartë i vdekjeve u regjistrua edhe sot, ku sipas njoftimit zyrtar të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, 15 qytetarë kosovarë vdiqën si pasojë e coronavirusit në 24 orët e fundit.

Se gjendja tashmë është kritike e ka pohuar edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në urimin e tij për festën e Kurban Bajramit, me ç’rast bëri thirrje që qytetarët të festojnë në shtëpi festën dhe të mos vizitojnë të afërmit e tyre.

“Të gjithë ne, do të donim që sot të takonim familjarët dhe të vazhdonim traditën tonë festive, por gjendja është kritike, prandaj secili prej nesh duhet të japë maksimumin që të përmirësohet kjo gjendje.”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Ndaj këtyre shifrave ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se 31 familje po i varrosin më të dashurit e tyre, që humbën jetën në dy ditët e fundit.

“31 familje po i varrosin më të dashurit e tyre, që humbën jetën dje (16) e sot (15) nga virusi Covid19. Ditët e festave janë ditë kur zotërojnë gëzimi e hareja, por sot, disa familje po i jepin lamtumirën e fundit atyre që i deshën më së shumti.”, shkroi në Facebook kryeparlamentarja Osmani.

Numri total i vdekjeve si pasojë e COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 227, ndërsa 8330 persona kanë rezultuar pozitiv në testimet për coronavirus që nga fillimi i pandemisë e deri më sot.

World Meters gjatë ditës së enjte e radhiti Kosovën në vendin e parë në botë me më së shumti vdekje brenda 24 orëve për kokë banori. /Reporteri.net