Kosovarët dhe preshevarët reagojnë kundër Maqedonisë, shkaku testeve PCR në kufi

Advertisment

Qytetarët e Kosovës janë të revoltuar pasi që ata nuk mund të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut pa testin PCR negativ për koronavirus.

Ata thonë se ky vendim nuk ka qenë i nevojshëm, pasi që secili prej tyre është i kujdesshëm në këtë kohë pandemie, përcjell INA.

Reklame

“Nuk është e drejt, sepse secili qytetar sot është shumë i kujdesshëm dhe merr një rrugë, vetëm kur e ka të domosdoshme. Maqedonia kur vlonte me raste të koronavirusit gjatë javëve të kaluara, Kosova nuk e mbylli kufirin. Tani sërish spo e mbyll, edhe pse me të drejt duhet ta bëj këtë, duke vendosur reciprocitet”, thotë për INA, Armend Alimi, biznesmen nga Prishtina.

Edhe qytetarë nga Presheva nuk e shohin si vendim të mire kushtin e vendosur nga autoritetet e Maqedonisë. Ilir. M nga Presheva thotë se vendbanimet e tyre në Luginë thuajse kanë qenë të paprekura apo me raste minimale nga koronavirusi, dhe nuk kanë se çka të rrezikojnë Maqedoninë e Veriut.

“Serbia nuk ua mbylli kufirin dhe siç po shihet nuk e ka ndërmend. Por me këtë vendim më keq është për Maqedoninë, sepse shumica e qytetarëve të Luginës bëjnë treg dhe harxhojnë para në Shkup, Kumanovë, Tetovë, thuajse çdo ditë. Kjo është në favor të këtij shteti”, thotë Iliri.

Në vendkalimet Bllacë dhe Tabanoc, dje janë kthyer me dhjetëra makina, që kanë tentuar që të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut, për nevojat e tyre të domosdoshme. Një prej tyre është edhe Besmir D nga Prishtina, i cili thotë se ky vendim i ka nxjerrë telashe sepse ai ka pas termin për të marrë vizën në ambasadën norvegjeze në Shkup.

“Ky vendim na dëmtoj, sepse këto ditë kam pas për të udhëtu në Shkup për vizën dhe tani s’di si tia bëj. Duhet të harxhojmë para për një test, por edhe të humbasim kohë”, thotë Besmiri.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj vendimin për rikthim të masave në kufi për shtetasit e Kosovës e cilësoi si të padrejtë dhe tha se nuk ka qenë i informuar paraprakisht.

“Ndoshta kjo është një momentum i ri. Për këtë situatë të re nuk më kanë njoftuar. Me të thanë të drejtën, sinqerisht pak më duket e padrejtë, sepse në kohën kur kishte rritje të numrit, kur ka pasur shumë ma shumë raste, unë me mirëkuptimin dhe bashkëpunimin që e kanë dy Institutet, por edhe me komunikim me ministrin atje, kemi treguar mënyrë të bashkëpunimit për lëvizjen e lirë të qytetarëve”, u shpreh Armend Zemaj, Ministër i Shëndetësisë në Kosovë.

Zemaj paralajmëroi se do ta analizojë situatën dhe nuk e përjashtoi mundësinë që kushte të vendos edhe Kosova për shtetasit e Maqedonisë së Veriut.

Por ministri i shëndetësisë i Maqedonisë, Venko Filipçe tha se është në duart e autoriteteve shtetërore të Kosovës se a do të ndërmarrin vendim reciprok.

“Nëse ndokush vlerëson se gjendja epidemiologjike në vendin tonë është e tillë, që duhet të futen PCR, ajo është politikë nacionale. Ne këtë e bëjmë që t’i mbrojmë qytetarët tanë”, theksoi Filipçe.

Sipas vendimit të Qeverisë nga 9 korriku, shtetasit e Kosovës, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë për të hyrë në Maqedoninë e Veriut do të duhet të tregojnë test PCR negativ për Kovid-19 dhe jo më të vjetër se 72 orë. Bashkë me këtë, ata janë të obliguar edhe të nënshkruajnë deklaratë për vendin dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në vend. (INA)