Kosovë, pezullohet vendimi për taksën 5 euro për veturat

Qeveria e Kosovës ka pezulluar vendimin për taksën prej 5 euro për tiketat ngjitëse, që do të dëshmonin se një veturë është e regjistruar.

Kështu bëri të ditur të enjten gjatë seancës plenare, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili shtoi se do të shqyrtohet i gjithë procesi deri te ky vendim.

Reklame

“Duhet të ju njoftoj që për çështjen e taksës 5 euro, për tiketat ngjitëse sapo është marrë vendim që të pezullohet si vendim dhe do ta shqyrtojmë në hollësi mënyrën sesi ka ardhur deri te ky vendim.

Pra, prej interpretimeve të ndryshme ligjore, duke përfshirë edhe interpretimet dhe trajtimet nga Auditori e të gjitha me radhë, deri te momenti i nënshkrimit. Pra, është pezulluar. Diçka çka mund të ju siguroj është që qytetarët nuk do t’i paguajnë 5 euro”, tha Aliu.

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë kundërshtuar vendimin për pezullimin e këtij vendimi, duke thënë se një gjë e tillë është pamjaftueshme, pasi sipas tyre, ky vendim duhet të anulohet. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kërkuar hetim lidhur me këtë rast.

Marrëveshja për tiketa ngjitëse për automjetet të cilat regjistrohen mes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me kompaninë private ishte nënshkruar me 8 qershor 2021.

Kjo marrëveshja ka hasur në kundërshtime të mëdha nga qytetarët dhe partitë opozitare.
Për këtë çështje, Partia Socialdemokrate ka ngritur edhe kallëzimi penal kundër zëvendësministrit Hysen Durmishi, për siç është thënë, keqpërdorim të pozitës zyrtare për nënshkrimin e marrëveshjes.

Megjithatë, Byroja Kosovare e Sigurimeve e pati vlerësuar të domosdoshme.

Sami Mazreku, drejtor në Byronë Kosovare të e Sigurimeve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo tiketë do të ndikojë pozitivisht në procesin e brendshëm të Kosovës, duke ulur numrin e madh të automjeteve të paregjistruara dhe do ta ndihmon Kosovën të bëhet pjesë e Kartonit të Gjelbër.

Numri i veturave të paregjistruara në Kosovë, për vite vazhdon të jetë një sfidë e madhe për institucionet. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i veturave të paregjistruara në territorin e Kosovës është mbi 200 mijë.

Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj)./REL