Kosovës i dalin telashe me Turqinë për shkak të ambasadës në Jerusalem

Advertisment

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë përmes një deklarate ka reaguar ndaj zotimit të Kosovës për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, duke e quajtur këtë si hap zhgënjyes dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar.

“Është zhgënjyese që një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shyqrtohet nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme Turke.

Reklame

“Turqia është në mesin e shteteve të para që e kanë njohur Kosovën, i ka ofruar përkrahje të madhe dhe për një kohë të gjatë ka bërë përpjekje për njohjen ndërkombëtare të këtij shteti, por neve nuk na duket e drejtë që ky proces të ndërtohet kundër ligjit ndërkombëtar dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, tokat e të cilit janë nën okupim”, thuhet më tej në deklaratë, shkruan Express.

“Është theksuar në mënyrë të përsëritur nga rezolutat e ndryshme të Kombeve të Bashkuara se çështja palestineze mund të zgjidhet vetëm me mishërimin e Shtetit Palestinez, kryeqytet i të cilit është Jerusalemi Lindor në bazë të kufijve të vitit 1967”, shkruhet në deklaratën e kësaj ministrie.

Më tej, Turqia i bën thirrje Kosovës që të përmbahet nga vendimi për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. “I bëjmë thirrje udhëheqësisë së Kosovës që t’i respektojë këto vendime dhe të përmbahet nga hapa të tillë që do ta minonin statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit dhe gjithashtu që do të mund ta parandalonin njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera në të ardhmen”, shkruhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.