Kovaçevski në mesditë dorëzon në Kuvend propozimin për Qeverinë e re

Mandatari për kryeministër dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski sot në ora 12 pritet të dorëzojë në Kuvend përbërjen e re të Qeverisë dhe programin qeveritarë, përcjell TV21.

“Sot, në orën 12:00, në Kabinetin e Vjetër të Kuvendit, mandatari për përbërjen e Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, zyrtarisht do t’ia dorëzojë Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, Propozim-përbërjen dhe Propozim-programin e punës së Qeverisë së re”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Reklame

Ndryshe, mbrëmjen e djeshme pas mbledhjes së Bordit Ekzekutiv dhe Qendror të LSDM-së u shpallën emrat e anëtarëve të kabinetit qeveritar nga kjo parti.

Zëvendëskryeministre e Luftës Kundër Korrupsionit dhe Krimit, Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Resurse Njerëzore, është propozuar Sllavica Gërkovska, deputete e mëparshme e LSDM-së, zëvendëskryeministër i angazhuar për Çështje Ekonomike dhe Koordinimin e Resorëve Ekonomikë dhe Investimeve – zëvendëskryeministri aktual Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër i Çështjeve Evropiane është propozuar Bojan Mariçiq, ministër i deritanishëm i Drejtësisë.

Ministre e Mbrojtjes është propozuar Sllavjanka Petrovska, deputete e LSDM-së, ish-zëvendësministre e Punëve të Brendshme në Qeverinë teknike, ministër i Punëve të Brendshme ministri aktual Oliver Spasovski, ministër i Drejtësisë, prof. dr. Nikolla Tupançevski nga Fakulteti Juridik në Shkup, ministër i Bujqësisë Lupço Nikollovski i cili edhe më parë e ka drejtuar këtë resor.

Ministre e Punës dhe Politikës Sociale është propozuar – Jovana Trençevska – drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror për Punë, ministre e Kulturës Bisera Kostadionova – Stojçevska, deputete aktuale e LSDM-së dhe paraprakisht profesoreshë në Fakultetin Pedagogjik në kuadër të Universitetit në Manastir. Ministër i Transportit dhe Lidhjeve është propozuar ministri aktual, Bllagoj Boçvarski.