Krasniqi: Nuk bëjmë opozitë me molotov e gaz lotsjellës, modeli i VV-së e ka dëmtuar vendin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, vlerëson se partia që udhëheq është duke e ndryshuar paradigmën e opozitarizmit në vend.

“Opozita e ka bërë ligjin për menaxhimin e pandemisë COVID, ia ka dhënë kompetencat qeverisë edhe me i ndërmarrë masat”.

Reklame

“E dyta, opozita, në këtë rast PDK-ja, edhe herën e parë, edhe herën e dytë e ka mundësuar kalimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike. Sa për qeverinë, as diskutimin në Kuvend për pandeminë nuk ka pasur dhe instrumentet tona janë të limituara, e para së gjithave është Kuvendi i Kosovës dhe ne i kemi shfrytëzuar të gjitha këto instrumente”.

“Unë e di që do ta keni të vështirë të gjithë, edhe ju analistët, edhe qytetarët, edhe votuesit për një periudhë të caktuar për ta kuptuar që ne jemi duke e ndryshuar paradigmën e opozitarizmit në Kosovë, sepse në momentin kur ju thoni opozita është e butë, ju po pritni që ne kemi me kapë molotov edhe gaz lotsjellës edhe të bëjmë protesta si Vetëvendosje,” tha Krasniqi.

Mes tjerash, Krasniqi, në Rubikon, theksoi se modeli opozitar i Lëvizjes Vetëvendosje e ka dëmtuar vendin dhe se ky model nuk do të ndiqet nga Partia Demokratike, njofton Klankosova.tv.

“Unë po kuptoj që në ndërdijen tuaj ju po prisni një agresion prej opozitës, sepse kështu jeni mësuar ta shihni opozitën në Kosovë. Për fat të keq, modeli i vetëm opozitar që ka ekzistuar në Kosovë në dhjetë vjetshin e fundit është modeli i Vetëvendosjes, që ka qenë modeli me i dëmshëm në vendin tonë, një model i agresivitetit, një model i destruktivitetit, një model nihilist në esencë, që ka kundërshtuar gjithçka për hir të kundërshtimit,” tha Krasniqi.