Krasniqi: Shkuarja këmbë në punë e Albin Kurtit është pjesë e cirkut argëtues

Kryeministri Albin Kurti, sot tregoi se ka shkuar këmbë në zyrën e tij në Qeveri, edhe pse e diele.

Me këtë rast ai publikoi disa fotografi sikur i dërgoi “selam”, personave që e sulmuan me vezë zëvendësin e tij, Avdullah Hoti, se nuk frikësohet fare. Veprimi i tij u komentua jo pak në rrjetet sociale.

Edhe profesori Milazim Krasniqi është një prej tyre, i cili thotë se shkuarja këmbë në punë e Albin Kurtit është pjesë e cirkut argëtues, për shijen e njerëzve të padije e të pavetëdije politike.

Postimi i tij:

Shkuarja këmbë në punë e Albin Kurtit është pjesë e cirkut argëtues, për shijen e njerëzve të padije e të pavetëdije politike. Kjo sjellje nuk është as politikë, nuk është as qeverisje.

Në një vend si Kosova, ku duart e armiqve janë gjithandej prezente, siguria e jetës së kryeministrit, cilido qoftë ai, duhet të jetë e plotë.

Ndërsa, në rastin e Kurtit, siguria duhet të jetë shumë më rigoroze. Pse? Sepse ka ardhë në krye të qeverisë me një politikë konfliktuoze, e cila ka prodhuar shumë kundërshtarë e armiq.

Deri sa të eliminohet ky perceptim, Kurti duhet të ketë siguri shumë më rigoroze, sepse ka rrezik që forcat e errëta antiKosovë të gjuajnë gurin e të fshehin dorën. Qëllimi mund të jetë destabilizimi, zhbërja e shtetit. Pra, lëreni cirkun, bëni poliitkë në pajtim me realitetin që kemi, që si shtet ende jemi në rrezik.