Kreu i komunës Kasami paralajmëron revizion për projektin e ujësjellësit

Një ekip i posaçëm i ngritur nga Komuna e Tetovës do të inspektojë projektin e ujësjellësit me qëllim zbardhjen e plotë të lëshimeve gjatë realizimit, shkruan Alsat.

Kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se projekti nuk ka pasur madje as edhe pranim teknik pas realizimit të tij.

Reklame

“Gjitha informatat që i kisha derisa nuk erdha në këtë vend, ishin se Tetova ka humbje uji në rrjetin e brendshëm, as që e mendoja se në projekt ku janë harxhuar miliona, nuk mund të jetë funksional. Tash bindem me problemet aktuale se ky ujësjellës nuk mund të jetë në funksion.

Andaj që mbrëmë dhashë urdhër të formohet komision që do bëj revizion të gjithë projektit. Për informatë të opinionit, ky projekt edhe nuk është i pranuar pra nuk ka pranim teknik. Tashmë i është dhënë urdhër revizorit të bëj hetim të projektit dhe pastaj të dalim me informatë se sa do i kushtoj komunës vënia e tij në funksion dhe a ka leverdi ta vemi në funksion apo të gjejmë zgjidhje tjetër”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Kasami tha se në procedurë e sipër janë disa shkelje me parkingjet por edhe shtegun e biçikletave, padia për të cilat pritet që gjatë javës të dërgohet në prokurorinë e Tetovës.

“Raporti i revizorit është marrë, avokati që e kemi angazhuar është në përpilim të padisë dhe deri në fund të javës padia do jetë e dorëzuar në prokurorinë publike”, tha Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.

Në prezantimin e planit afatgjatë për parkingjet, Kasami tha se i njëjti do të realizohet në katër faza, ndërsa deri në fillim të vitit të ardhshëm, të shtohen rreth 3 mijë vende të reja parkimi në Tetovë dhe në Kodrën e Diellit. /Alsat.mk