“Kryeministri shqiptar” niset nga Prespa, Sela nga Manastiri

Advertisment

Partitë politike janë në përfundim të përpilimit të kalendarit të tubimeve për fushatën e zgjedhjeve të 15 korrikut. Gazeta KOHA mëson se BDI do të fillojë fushatën e saj me një Konventë promovuese nga Prespa, ndërsa koalicioni ASH-AAA nga Manastiri. PDSH e Thaçit më 12 mars ka promovuar kandidatët e saj për deputetë në Tetovë, ndërsa LSDM dhe VMRO-DPMNE gjatë vikendit do ta bëjnë publike orarin e tubimeve. Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend presin një garë të ashpër të partive politike në zonën e gjashtë zgjedhore

Destan JONUZI

Reklame

Shkup, 20 qershor – Paritë politike shqiptare si në ciklet tjera parazgjedhore, edhe në këto zgjedhje pritet që betejën e tyre më të fuqishme politike ta kenë në Njësinë e gjashtë zgjedhore, aty ku del edhe numri më i madh i deputetëve shqiptarë. Sipas njohësve të rrethanave politike në vend, nuk do të jetë e lehtë beteja edhe në Njësinë zgjedhore 1 dhe 2. Ndërkohë që partitë politike po i bëjnë përgatitjet e fundit për të përpiluar orarin e tubimeve të fushatës zgjedhore e cila fillon më 24 qershor, gazeta KOHA ka mësuar se nga ku do të nis karvani i tyre zgjedhor. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fushatën e saj do ta fillojë nga Prespa – zonë e Njësisë zgjedhore 5, në të cilën bartës liste është kryeparlamentari Talat Xhaferi. Nëse i referohemi deklaratës së fundit të liderit të kësaj force politike, Ali Ahmeti, se në Konventën e fushatës do të prezantohet edhe kandidati shqiptar për kryeministër, si dhe fillimit të fushatës nga zona zgjedhore numër pesë, atëherë mund të konstatohet se një nga kandidatët e mundshëm për kryeministër shqiptar mund të jetë Talat Xhaferi.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Alternativa, nga ana tjetër, siç mëson gazeta KOHA, fushatën e tyre do ta fillojnë nga qyteti i Manastirit. Ndërsa burime partiake thonë nuk përjashtohet as Shkupi, Tetova dhe Kumanova, si zona nga ku mund të fillojnë karvanin për zgjedhjet e 15 korrikut. Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit Konventën për promovimin e kandidatëve të saj për deputetë e ka mbajtur më 12 mars në Tetovë, ndërsa fushatën më 24 qershor pritet ta fillojë nga Gostivari ose Shkupi. Por, nga ky subjekt politik bëjnë të ditur se ende janë në përpilim të kalendarit të aktiviteteve. Edhe dy partitë kryesore maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, janë në përpilim të kalendarit për fushatën zgjedhore. Por, VMRO-DPMNE tradicionalisht fushatën e ka filluar nga Ohri, ndërsa LSDM-ja, siç brifojnë burime partiake, do të fillojë nga Strumica ose Manastiri dhe do të përfundojë në Shkup.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se në të gjitha zonat, gara do të jetë e ashpër mes partive politike shqiptare, por te gjashta do të zhvillohet beteja kryesore, pasi nga aty buron edhe numri më i madh i deputetëve shqiptarë. “Zona elektorale gjashtë, definitisht është ajo që në masë të madhe determinon fituesin mes partive shqiptare në një garë elektorale, gjithmonë duke marrë parasysh se 60 për qind e deputetëve të kësaj zone janë shqiptarë. Kështu që rrjedhimisht këtu do të jetë ‘beteja’ më e madhe ‘ndërshqiptare’, por gjithmonë duke mos neglizhuar rezultatet në zonat tjera zgjedhore. Realisht ‘6-shi’ mund të përcaktojë fituesin në zgjedhjet vetëm në rast të një dallimi të madh në këtë zonë, por në rast të një dallimi jo dhe aq të madh, atëherë përcaktues i fituesit është rezultati në tre zonat e tjera elektorale ku dalin deputet shqiptar dhe këto janë zonat një ,dy dhe pesë”, deklaroi për KOHA, analisti Gazmend Ajdini.

Edhe gazetarja Dushica Mërgja, e cila përcjell aktivitetet e partive politike shqiptare, vlerëson se “gjashta” do të jetë arena e betejës në bllokun politik shqiptar. “Gjashta tradicionalisht është arena kryesore e betejës së partive politike shqiptare. Ajo që në këto zgjedhje do të jetë ndryshe nga të kaluarat, është se do të ketë betejë për çdo votë të vetme shqiptare dhe në çdo vendbanim. Si asnjëherë më parë, harta politike, por edhe Qeveria e re do të varet nga votat shqiptare”, shprehet Mërgja. Profesori universitar Mitasin Beqiri thekson se beteja e partive shqiptare do të zhvillohet në Njësinë e gjashtë zgjedhore, por thekson se partitë duhet të ofrojë programe konkrete para qytetarëve. “Dihet në zonën ku kandidat janë kryetarët e partive politike, zonën numër gjashtë, në të do të zhvillohet mejdani kryesor. Zgjedhjet kësaj radhe do të jenë të zbehta për shkak epidemisë Covid-19, fushata zgjedhore do të jetë pa tubime dhe mitingje, do të ketë debate TV, ofendime sa të duash që, sipas meje, nuk është në rregull. Partitë politike duhet me nxjerrë para elektoratit platforma dhe programe zgjedhore e jo siç kane filluar tashmë, me trillime dhe pallavra”, thotë profesori Beqiri.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse një kohë të gjatë shteti funksion në kushte të jashtëzakonshme me Qeveri teknike dhe pa Parlament. Në pajtim me marrëveshjen politike të arritur para shtyrjes së veprimeve zgjedhore në muajin mars, për datën fillestare të zgjedhjeve më 12 prill dhe marrëveshjen e fundit, si dhe dispozitat e Qeverisë, veprimet zgjedhore vazhdojnë atje ku kanë mbetur, me protokolle shtesë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve për shkak të koronavirusit. Kjo do të thotë se listat e kandidatëve tani më janë konfirmuar, është përfshirë regjistri i mediave, ka përfunduar paraqitja e diasporës për të cilën këtë herë nuk kishte numër të mjaftueshëm të të paraqiturve dhe atje nuk do të votohet, është bërë short për orarin e fletëvotimit, ndërsa kanë përfunduar edhe veprime të tjera. Nga ato të papërfunduara, më e rëndësishme është azhurnimi i Listës zgjedhore, gjegjësisht MPB-ja duhet të dorëzojë të dhëna deri tek KSHZ-ja, duhet zbatohet edukim komplet i ri i Këshillave zgjedhorë shëndetësorë dhe komisionet komunale zgjedhore, në pajtim me protokollet shëndetësore, duhet të shtypen fletëvotimet, KSHZ-ja të përgatitë udhëzime për shumë nga aktivitetet në terren dhe votim, vazhdon edhe paraqitja e vëzhguesve në zgjedhje. Në zgjedhjet më 15 korrik do të marrin pjesë 15 koalicioni me 1 mijë e 598 kandidatë

GJASHTA: MEJDANI I AHMETIT, SELËS, KASAMIT DHE THAÇIT

Bartës i listës së LSDM-së dhe koalicionit në Njësinë e parë zgjedhore është ministri aktual i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, kryeministri teknik Oliver Spasovski është në të dytën, sekretari i përgjithshëm i partisë – Lupço Nikollovski në të tretën, në të katërtën do të jetë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në të pestën ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ndërsa bartës i listës në Njësinë e gjashtë zgjedhore do të jetë lideri i Besës, Bilall Kasami. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti do të jetë bartës i listës së kandidatëve në Njësinë e gjashtë zgjedhore, Talat Xhaferi në të pestën, në të tretën do të jetë ish-ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, në të dytën ministri i Arsimit, Arbër Ademi dhe në të parën nënkryetari i partisë Izet Mexhiti. PDSH-ja ka lista të kandidatëve në pesë njësi zgjedhore. Bartës i listës së kandidatëve për deputetë në Njësinë e gjashtë zgjedhore është lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, Në të parën është Nimetulla Demiri, në të dytën Orhan Ibrahimi, në të tretën Sami Rushiti, ndërsa në të katërtën nuk ka kandidatë të PDSH-së, derisa në të pestën është Vasfi Doko. Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela është bartës i listës së kandidatëve të koalicionit me Alternativën në Njësinë e gjashtë zgjedhore, ndërsa Afrim Gashi nga Alternativa në Njësinë e dytë zgjedhore. (koha.mk)