KSI: Nuk mund të respektohen protokollet, jo dasma e mbrëmje brenda objekteve gastronomike

Objektet hotelierike që nuk kanë tarraca verore, mbeten të mbyllura për organizime festash e dasmash edhe më tej.

Komisioni për Mbrojtjen nga Sëmundjet Infektive është i prerë se protokollet aktuale nuk i mbrojnë klientët që do të mblidheshin në këto. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce, thotë se nuk po punohet për protokolle shtesë për funksionimin e pjesëve të mbyllura të objekteve hotelierike.

“Ekzistojnë protokolle për mbajtjen e punëtorive, takimeve etj. Ne besojmë se te organizimet e tilla ka kushte për respektimin e protokolleve, por të njëjtat nuk do të respektohen gjatë festave dhe dasmave ose gjatë orëve më të gjata të punës në hapësirat e mbyllura të restoranteve. Tani për tani, rekomandimi mbetet që të gjitha këto lehtësime të masave të vlejnë vetëm për hapësirat e jashtme.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

U ndalohet të bëjnë muzikë në lokale, muzikantët në protestë para qeverisë

Lehtësimi i masave parasheh organizimin e dasmave në tarracat e restoranteve, nuk lejohet asnjë kontakt fizik mes dasmorëve, lejohet muzika live, me kusht që këngëtari të jetë 5 metra larg dasmorëve. Çdo dasmori dhe çifti do t’i matet temperatura në hyrje. Muzikantët që nuk këndojnë nëpër dasma nuk janë të kënaqur me protokollet e reja që pamundësojnë mbajtjen e mbrëmjeve argëtuese. Revoltën e shprehën në një protestë para qeverisë.

“Janë krijuar kushtet që të merremi me veprimtarinë tonë të garantuar me Kushtetutë. Derisa të mos na japin argument se përse vetëm ne nuk mund të punojmë, ne do të protestojmë.”,- tha një protestues.

“Nuk e dimë se përse për KSI-në paraqet rrezik të shtuar për shëndetin e qytetarëve që një muzikant, violinist apo një dixhej të bëjë muzikë në një qosh të lokalit.”,- theksoi një protestues.

Pas 15 qershorit mund të ketë lehtësim shtesë të masave, por kjo do të varet nga situata epidemiologjike. Virusi vazhdon të jetë i paparashikueshëm, thotë ministri Filipçe që megjithatë shpreson për një verë të qetë.