Kthim i organizuar për 160 shtetas të Maqedonisë nga Belgjika dhe Franca, 35 të tjerë priten nga Abu Dabi

Me fluturim të organizuar sot gjithsej 160 qytetarë të Maqedonisë kthehen në vend nga Brukseli dhe Parisi.

Siç kumtoi MPB-ja, ky është fluturimi i 11-të special deri më tani që kur me 27 mars, të këtij viti u organizua fluturimi i parë çarter nga La Valeta në Maltë për kthimin e qytetarëve të cilët kanë mbetur jashtë vendit për shkak të pandemisë Kovid-19. Për sonte është paralajmëruar edhe një kthim i organizuar i 35 qytetarëve tanë nga Abu Dabi përmes aeroportit në Sofje.

“Falënderojmë për solidaritetin dhe bashkëpunimin të gjitha vendet që i kanë ndihmuar qytetarët tanë, përfshirë Qeverinë e Republikës së Bullgarisë për fluturimin e sotëm nga Abu Dabi për në Sofje, ku gjithashtu ka 35 shtetas të Maqedonisë”, theksojnë nga MPB-ja.

Gjatë fluturimit për në Belgjikë dhe Francë, në bashkëpunim me ambasadat e këtyre vendeve, sot 71 shtetas të huaj u ndihmuan për t’u kthyer në vendet e tyre.