Ku po gabon ende Perëndimi në lidhje me Putinin

Nga Tatiana Stanovaya
“Foreign Policy”
Një nga arsyet pse është kaq e vështirë të kuptosh synimet e Rusisë – dhe atë që është në lojënë luftën e Ukrainës – është diferenca e rëndësishme midis mënyrës se si i shohin ngjarjet vëzhguesit e jashtëm, dhe si shihen ato nga Kremlini.

Fakt është se shumica e diskutimeve të sotme mbi mënyrën se si duhet ta ndihmojmë Ukrainën të fitojë në fushën e betejës, tadetyrojmë Kievin të bëjë lëshime, apo t’i krijojmë mundësinë presidentin rus Vladimir Putin të shpëtojë fytyrën e vet, kanë pak të përbashkëta me realitetin.

Më poshtë janë 5 supozimet e zakonshme, rreth asaj se si Putin e sheh këtë luftë. Por në rast se dëshiron të jetë më efektiv në qasjen e tij, dhe të ulë rreziqet e përshkallëzimit të konfliktit, Perëndimi duhet ta shohë ndryshe situatën.

Supozimi nr.1: Putin e di se po e humb luftën

Ky supozim buron nga ideja e gabuar, sipas së cilës qëllimi kryesor i Rusisë është të marrë kontrollin e pjesëve të mëdha të Ukrainës. Ndaj kur ushtria ruse shfaqet dobët në front, nuk arrin të përparojë, madje edhe tërhiqet, kjo përbën dështim. Por qëllimet kryesore të Putinit në këtë luftë, nuk kanë qenë kurrë të fitojë territor të ri.

Përkundrazi, Putin dëshiron ta shkatërrojë Ukrainën, vend që e cilëson një “anti-Rusi”. Pra ta pengojë Perëndimin nga përdorimi i territorit të Ukrainës, si një urë lidhëse për aktivitetet gjeopolitike anti-ruse. Dhe në këtë aspekt, Rusia nuk e sheh veten si të dështuar.

Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO, dhe as nuk do të jetë në gjendje të ekzistojë në paqe, pa marrë parasysh kërkesat e Moskës për rusifikimin dhe “de-NATO–fikimin”. Për të arritur synime të tilla, Rusisë i mjafton të ketë një lloj pranie në territorin ukrainas, dhe të vazhdojë të sulmojë infrastrukturën ukrainase.

Moska nuk ka nevojë për përfitime të mëdha territoriale dhe as për pushtimin e Kievit. Edhe aneksimi i rajoneve të Luhanskut dhe Donjeckut, të cilin Moska e sheh vetëm si çështje kohe, është një mënyrë për ta detyruar Ukrainë të paguajë për zgjedhjet e gabuara gjeopolitike pro-perëndimore gjatë 2 dekadave të fundit.

Supozimi nr.2: Perëndimi duhet të gjejë një mënyrë për ta ndihmuar Putinin të ”shpëtojë fytyrën”, duke reduktuar edhe rreziqet e përshkallëzimit të mëtejshëm të luftës

Imagjinoni një situatë ku Ukraina pranon shumicën e kërkesave të Rusisë. Pra njeh Krimenë si ruse dhe Donbasin si të pavarur, angazhohet për reduktimin e ushtrisë së saj, dhe premton se nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO. A do t’i japë kjo fund konfliktit? Edhe nëse për shumë njerëz, përgjigja duket të jetë një “po” e qartë, ata e kanë gabim.

Rusia është vërtet zyrtarisht në luftë kundër Ukrainës, por në aspektin gjeopolitik, e sheh veten në luftë kundër Perëndimit. Prandaj, çfarëdolloj lëshimesh që mund të bëjë Ukraina, Putini do të vazhdojë ta përshkallëzojë luftën, derisa Perëndimi të ndryshojë qasjen e tij ndaj të ashtuquajturit “problem rus”, dhe ta pranojë se lufta e Rusisë, është rezultat i injorimit të shqetësimeve gjeopolitike ruse për 30 vjet me radhë nga ana e Uashingtonit.

Supozimi nr.3: Putini nuk po humbet vetëm ushtarakisht, por edhe brenda vendit. Situata politike në Rusi është e tillë, që Putin mund të përballet së shpejti me një grusht shteti

Për momentin është e kundërta. Elita ruse është aq shumë e shqetësuar se si të garantojë stabilitetin politik dhe të shmangë protestat, saqë është konsoliduar rreth Putinit, si i vetmi lider që është në gjendje ta forcojë sistemin politik dhe të parandalojë kaosin. Elita është politikisht e pafuqishme, e frikësuar dhe e pambrojtur.

Të bësh sot një lëvizje kundër Putinit është e barabartë me vetëvrasjen, përveç rastit kur Putin fillon ta humbë aftësinë e tij për të sunduar (fizikisht ose mendërisht). Pavarësisht përçarjeve të reja brenda radhëve dhe pakënaqësive me politikat e Putinit, regjimi qëndron ende ipalëkundur. Për momentin, kërcënimi kryesor për Putinin është vetë Putini.

Supozimi nr.4: Putin ka frikë nga protestat kundër luftës

E vërteta është se Putini ka më shumë frikë nga protestat pro–luftës, dhe duhet të marrë parasysh dëshirën e shumë rusëve për të parë shkatërrimin e atyre që ata i quajnë “nazistë ukrainas”. Kjo qasje e publikut rus, mund të nxisë përshkallëzimin e luftës, duke e shtyrë Putinin të jetë më i ashpër dhe më i vendosur në këtë luftë.

Putini ka ringjallur një nacionalizëm të errët, nga i cili po varet gjithnjë e më shumë. Çfarëdo që të ndodhë me Putinin, bota do të duhet të përballet me këtë agresion publik dhe bindjet anti–perëndimore dhe anti-liberale, që e bëjnë Rusinë shumë problematike për Perëndimin.

Supozimi 5: Putin ka qenë shumë i zhgënjyer nga njerëzit e tij, dhe ka nisur ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë

Kjo çështje diskutohet shumë në Perëndim. Ajo lind nga spekulimet mbi arrestimin e ish-zëvendës shefit të kabinetit të Putinit, Vladislav Surkov; të Sergey Beseda-s, një ushtarak i lartë i sigurisë përgjegjës për luftën Ukrainën; dhe spastrimeve në rrethin e brendshëm të presidentit.

Por të gjitha këto duhen parë me shumë mosbesim. Së pari, nuk ka asnjë konfirmim për asnjërën prej tyre. Së dyti, Putini ka të ngjarë të jetë i mërzitur dhe i zhgënjyer me stafin e tij, por nuk është në stilin e tij të spastrojë rrethin e tij të brendshëm nëse nuk janë kryer krime të rënda.

Qëllimet janë gjithçka që ka rëndësi për Putinin. Së fundi, fushata ushtarake në Ukrainë është menaxhuar nga afër nga Putin që në fillim, dhe vartësit kanë pasur shumë pak hapësirë për të treguar ndonjë iniciativë. Për momentin, si Rusia ashtu edhe Perëndimi, duket se besojnë se pala tjetër është e dënuar të humbasë dhe se koha është në anën e tyre.

Putin ëndërron që Perëndimi të zhytet në trazira politike, ndërsa Perëndimi ëndërron që Putini të rrëzohet nga pushteti, të vritet, ose të vdesë nga njëra prej shumë sëmundjeve për të cilatpërflitet se po vuan. Askush nuk ka të drejtë.

Tek e fundit, një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës, është e mundur vetëm si një zgjatim i një marrëveshjeje midis Rusisë dhe Perëndimit, ose si rezultat i rrëzimit të Putinit. Dhe kjo na jep një ide se sa mund të zgjasë lufta: me vite, në rastin më të mirë.

Shënim: Tatiana Stanovaya, studiuese në think-tankun “Carnegie Endowment for International Peace”.