Ku vajti identiteti bosht i Tetovës?

Advertisment

Xhamia e Çarshisë në sheshin e qytetit, që ishte emblemë kryesore dhe qendrore për identifikimin e Tetovës si qytet, u shemb në fillim të qershorit të vitit 1965, për të mos u ndërtuar kurrë më. Është imperativ i kohës për një nismë rreth rindërtimit të saj

Nga Ismail ARSLLANI

Reklame

Shumë qytete në gjeografinë shqiptare, si Korça, Prizreni, Shkodra etj., kanë ruajtur identitetin e vet me objekte kulturore-historike e fetare që kanë mbetur si trashëgimi nga një kohë e kaluar dhe janë shndërruar në emblemë njohëse të tyre. Ku është Tetova në këtë rrafsh?

Tetova e dikurshme, nga një qytet i rregulluar mirë, me të gjitha elementet arkitekturale qytetëruese dhe mentalitetit qytetar të banorëve të saj, për disa dhjetëvjetësha u rrit në mënyrë kaotike dhe u shndërrua në një “fshat të madh”, me degradim të bukurive të trashëguara prej më herët, me vlerë historike-kulturore. Ky qytet, kasaba, i ka pasur këto atribute qytetëruese e orientale, me të gjitha parametrat: Kalaja, konakët e pashallarëve, xhamitë, hamami, çezmat publike, parqet e gjelbra, rrugë me kalldrëme dhe, në përgjithësi, një arkitekturë të vjetër, me shumë vlerë, e cila u fashit nga sytë dhe kujtesa e shumë brezave të tetovarëve.

Brezi i tashëm jo vetëm që nuk arriti të ngrit Tetovën, ashtu si e meriton një qytet universitar, me pamje, arkitekturë dhe infrastrukturë të duhur, deri më tash, ndër shumë vite, nuk arriti, madje, t’i mbrojë nga “kthetrat” e huaja, që katandisën qytetin në këtë gjendje. Arkitektët e dinë mirëfilli që qytetet zgjerohen në periferi dhe ruajnë identitetin, si dhe trashëgiminë kulturore-historike dhe arkitekturale, duke mos i prekur sheshet e vjetra dhe objektet me vlerë. Në Tetovë, ky zgjerim, përkundrazi, filloi pikërisht nga sheshi, duke u shembur nga një “dorë e fshehur”, një kompleks ndërtesash me arkitekturë të së kaluarës, me shumë vlera kulturore-historike.

Në këtë kompleks ndërtesash me arkitekturë të vjetër, pos që kishte një park të gjelbër e të bukur, me shatërvan, në pjesën qendrore hidhte shtat një xhami, me minare të lartë e të bardhë, që tetovarët e njihnin si Xhamia e Çarshisë apo e Tupanit, jo vetëm me pamje shumë të bukur arkitekturale, por edhe funksionale, sipas ekspertëve, një nga më akustiket e këtij lloji. Kjo xhami ishte vetë emblema e qytetit, boshti kryesor, që mbante fuqishëm identitetin kombëtar e fetar të tetovarëve. Me praninë e kësaj xhamie krenoheshin që të gjithë.

Mjerisht, me një vendim nga “lart”, kjo xhami u shemb deri në themel brenda një dite (të dielën), para 55 vjetësh, në fillim të qershorit të vitit 1965, për të cilën gjë organet e sigurimit kishin shpallur “orë policore”.

Është interesant se asnjë nga të angazhuarit joshqiptarë për prishjen e xhamisë, kategorikisht kishin refuzuar të marrin pjesë në këtë krim mbi historinë dhe kulturën e një populli, prandaj hartuesit e këtij projekti kriminal e me prapavijë politike, ishin detyruar të angazhojnë njerëz nga burgu. Meqë Myftinia e Tetovës dhe asnjë tjetër nga mexhlisi i saj nuk ishte përkulur që të japë çelësin e xhamisë, të burgosurit, të cilët nuk arritën të hyjnë brenda xhamisë, ishin të detyruar që të fillojnë prishjen e saj prej kulmit, për çka dëshmojnë edhe disa foto të mbetura nga ai çast.

Tetovarët e morën këtë gjest të pushtetit me shumë dhembje, sepse atyre jo vetëm që u mor xhamia, por edhe kujtesa për të. Reagimet e qytetarëve ishin ngulfatur brenda qarqeve të ngushta, sepse reperkusionet do të ishin të pamëshirshme. Rindërtimi i kësaj xhamie në sheshin kryesor të Tetovës paraqitet si imperativ i kohës. Ka pasur disa nisma do vite më parë për këtë punë, por projektet e hartuara kanë mbetur në sirtarët e administratës shtetërore. Rindërtimi i saj, me formën dhe pamjen autentike, si dhe me lokacionin e vet të dikurshëm, do t’u mbetet peng brezave të rinj, që janë e po bëhen akademikë e arkitektë, por edhe me vullnet politik, madje, së fundi, edhe me një mbështetje referendumiane të popullatës, të sendërtohet sa më parë të jetë aq më mirë, si një e drejtë universale, qytetare dhe fetare.