Kur dhe kujt do t’ia ndajë Pendarovski mandatin për kryeministër?

Advertisment

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, do të jetë një hallkë e rëndësishme në zbërthimin e lëmshit të krijuar pas zgjedhjeve të 15 korrikut.

Mirëpo ai nuk ka ndërmend të shpejtojë me ndarjen e mandatit për formim të qeverisë, për të cilin momentalisht pretendojnë LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI, paralajmërojnë për Gazetën Lajm nga kabineti presidencial.

Reklame

“Presidenti Pendarovski do të zhvillojë konsulta me partitë politike para dhënies së mandatit. Në pajtim me dispozitat kushtetuese, mandatin për formim të Qeverisë do t’ia besojë kandidatit të partisë, ose partive që do të sigurojnë shumicë në Kuvend”, thonë për Lajm nga kabineti presidencial.

Kur do të fillojnë konsultimet, është pyetja që preokupon opinionin? Nga kabineti i presidentit Stevo Pendaovski thonë se konsultimet nuk do të fillojnë gjatë këtij muaji.
“Konsultimet do të jenë pas konstituimit të Kuvendit, që do të thotë gjatë muajit gusht”, theksojnë nga kabineti presidencial.

Sipas Kushtetutës, kryetari i deritanishëm i parlamentit duhet të thërrasë seancë konstituive më së voni 20 ditë pas certifikimit të rezultateve nga ana e KSHZ-së.