Kur filloristët bëhen shoferë!

49

Gjatë tetë muajve të këtij viti, 1240 persona janë ndaluar duke drejtuar automjetet të ndryshme pa leje për vozitje. Këto janë të dhënat e Policisë së Tetovës, prej nga theksojnë se ky numër është rekord në vitet e fundit, ku janë kapur vozitës që drejtojnë automjete pa leje për vozitje, shkruan gazeta KOHA. Kësisoj, fëmijë të shkollave fillore drejtojnë automjetet e prindërve të tyre. Ata me të njëjtat shkojnë në shkollë dhe qarkullojnë nëpër rrugët e qytetit. Sipas policisë të dhënat janë alarmante, sepse në ditë ndalohen dhjetë persona pa leje për vozitje me automjete.

“Ata më shumë kanë drejtuar vetura dhe motoçikleta. Nuk mungojnë as autobusët dhe taksi veturat që drejtohen pa leje. Bëhet fjalë për persona të moshës nga 17 deri në 29 vjeç. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Tetova dhe nga fshatrat e rrethinës. Në raste të rralla janë evidentuar edhe persona nga Shkupi që janë ndaluar në Tetovë, duke drejtuar makinat pa leje”, tha për KOHA zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Marjan Josifovski.

Këmbësorët në qytetin e Tetovës janë ankuar se shpesh herë hasin vozitës të rinj nëpër vetura dhe nga të njëjtit janë në rrezik permanent. “Shihet qatë se janë të vegjël që të drejtojnë makinat edhe ata shpesh i shohim në qendër të Tetovës, duke bërë lloj-lloj veprimesh të pahijshme, duke na rrezikuar jetën neve këmbësorëve. Policia duhet që të jetë më shumë në terren që të ndalojë këto veprime të të rinjve në qytetin tonë dhe nevojitet që edhe prindërit të dënohen që u lejojnë fëmijëve të vozisin në moshë të re”, thotë Hamiti, një qytetar i Tetovës.

Nga policia arsyetohen se kohëve të fundit kanë përforcuar kontrollet në rrugët e Tetovës dhe ata që janë pa leje për qarkullim sanksionohen pa dallim.“Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë vazhdon që të apelojë te prindërit që të mos u japin veturën fëmijëve të tyre dhe që të mos e sjellin në pikëpyetje jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion. Personat që nuk do të dëgjojnë këto apele, do të përballen me dënime prej 300 euro, ndërsa ata që ua japin veturën këtyre personave do të përballen me dënim prej 400 euro”, deklaroi Marjan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Ai tha se kontrollet e kësaj natyre janë shpeshtuar sidomos në bulevardin “Marshall Tito”, në bulevardin e Ilindenit, në rrugën industriale dhe në hyrje daljet e qytetit të Tetovës. Në këtë drejtim, vozitja e automjeteve me regjistrim të skaduar, dhe pa leje për vozitje, janë dukuri të cilat edhe më tutje dukshëm janë prezent në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, edhe përkundër aktiviteteve të shumta të kontrollit, të cilat në vazhdimësi i ndërmarrin pjesëtarët e policisë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.

Për shkak të kësaj situate që padyshim është e pafavorshme, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë edhe njëherë apelon deri te qytetarët, veçanërisht deri te të rinjtë, që fillimisht të kalojnë testin e lejes për vozitje dhe më pas të ulen përpara timonit, por që edhe në kohë të regjistrojnë automjetet e tyre, për arsye se jo vetëm që vënë në pikëpyetje sigurinë e tyre personale, por edhe sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, sepse automjetet e paregjistruara shpesh nuk janë në gjendje të rregullt teknike, ndërsa vozitësit e pastërvitur dhe të pa përvojë paraqesin rrezik potencial në rrugë, si dhe shpesh janë shkaktarë të aksidenteve të komunikacionit.

Në rajonin më të gjerë të Tetovës, muajin e kaluar nga komunikacioni janë larguar gjithsej 142 automjete. Më shumë prej tyre, gjegjësisht 129, për shkak të regjistrimit të skaduar, parregullsi teknike dhe mangësi të tjera. Për automjetet e paregjistruar, fenomen ky që këtë vit ka shënuar rritje, janë përgatitur padi adekuate dhe do të përballen me gjoba, të cilët për këtë lloj kundërvajtjeje lëviz nga 100 deri në 500 euro në kundërvlerë të denarit, përderisa gjoba për automjetet me parregullsi teknike, veçanërisht ato të cilat kanë pasur frenat e dëmtuar gjoba është 400 euro.

Në gusht gjithashtu janë larguar nga komunikacioni 276 vozitës, nga të cilët 149 pa leje për vozitje, gjegjësisht ato të cilët nuk kanë pasur leje valide për vozitje, 105 vozitës fillestarë, të cilët kanë thyer kufizimet ligjore, të parapara për këtë kategori të vozitësve.

Edhe të parët edhe të tjerët i presin padi dhe gjoba adekuate, të cilat lëvizin nga 200 deri në 300 euro në kundërvlerë të denarit, me vërejtjen se këtë vit në rajonin e Pollogut është dukshëm më i madh numri i vozitësve të egër gjegjësisht atyre që drejtojnë automjete pa leje adekuate për vozitje.