Kurti mbledh figurat kryesore të partisë para takimit me Mustafën

Një orë para nisjes së takimit në mes të Albin Kurtit dhe të Isa Mustafës, në selinë qendrore të LV-së janë mbledhur figurat qëndrore të kësaj partie, raporton Gazeta Express.

Pak minuta më parë në seli ka arritur edhe kreu i LV-së, Albin Kurti, ndërsa si pjesë e grupit punues që do të marrin pjesë në takimin e sotëm me LDK-në, të pranishëm janë edhe nënkryetarët Besnik Bislimi dhe Fatmire Kollcaku. Gjithashtu edhe deputetja Albulena Haxhiu.

Në ora 15:30 pritet ndërkaq që të mbahet një nga takimet më të rëndësishme që prej përfundimit të zgjedhjeve në mes të Albin Kurtit dhe të Isa Mustafës.

Dje gjatë ditës, nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se cila do që të jetë kërkesa e LDK-së, për të do të vendosin anëtarët e grupit punues, që për këtë cështje kanë mandat të plotë nga kryesia.

“Është me rëndësi ne presim që të dimë cila është kërkesa e LDK-së, diskutimet do të vazhdojmë, kryesia i ka dhënë mandat të plotë grupit punues që të angazhohen që të kemi sa më parë marrëveshje. Presim që edhe LDK-ja në bazë të deklaratave publike që i kanë bërë të jenë të përkushtuar në të njëjtën mënyrë. Tani për këtë mund të flasin pjesëtarët e grupit punues, kryesia i ka dhënë mandat të plotë grupit punues. Së pari duhet të dimë çka kërkon LDK-ja është e rëndësishme të dimë, kemi pas edhe deklarata publike të deputetëve të caktuar, për më tepër, anëtarët e grupit punues”, deklaroi dje Nagavci./GazetaExpress/