Kurti: Me kthimin e bllokut B2 në funksion po paguajmë çdo orë 50 mijë euro import më pak

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me kthimin e bllokut B2 të termocentralit “Kosova B” në funskion, tashmë për çdo orë po paguhen 50 mijë euro import më pak.

Sipas Kurtit, në bursat ndërkombëtare, një MWh gjatë ditës së djeshme ka kushtuar 200 euro.

Reklame

“Rreth 200 euro kushtoi 1 MWh në bursën ndërkombëtare të energjisë dje. Mirëpo sot në ora 10:15 u kthye në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MW. Sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55, gjendja e turbinës është e mirë dhe nuk ka pasur nevojë për balancim. Me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1.2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve. Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook, përcjell Telegrafi.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar mbrëmë pas mesnate se njësia B2 prodhuese për energji elektrike është rikthyer në funksion.

Kujtojmë që në dhjetor të vitit që lamë pas KEK-u ka angazhuar ekspertë të huaj për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ulën, në njësinë B2 të termocentralit “Kosova B”.

Kosova është duke u përballur me një krizë energjetike që nga muaji dhjetor për çka tani ZRRE ka paralajmëruar edhe shtrenjtim të çmimit të energjisë, e cila është pranuar edhe nga Qeveria e Kosovë. /Telegrafi/