Kurti me thirrje mërgatës shqiptare të Maqedonisë për regjistrimin e popullsisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ju ka bërë thirrje shqiptarëve të RMV-së që jetojnë jashtë vendit, të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Në mesazhin e tij, Kurti fton mërgatën shqiptare të Maqedonisë që të mos e lëshojnë këtë mundësi dhe të regjistrohen, pasi sipas tij, në këtë regjistrim do të përcaktohet pesha e shqiptarëve në RMV.

“Shqiptarët janë popull i lidhur për shtëpinë, truallin dhe vendin e vet. Nga të dhënat zyrtare të Bankës Popullore të RMV-së remitancat e mërgatës arrijnë deri në 2 miliardë euro në vit. Ne e dimë se pjesa dërmuese e këtyre parave vjen nga shqiptarët”, thotë në mes tjerash Kurti.

Kurti gjithashtu thotë se qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje që ndodhen në shtete të tjera, do të vendosen në shërbim të shqiptarëve shtetas të RMV-së, nëse kanë nevojë për ndihmë gjatë regjistrimit.

Ndryshe, regjistrimi i popullsisë do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa sipas të dhënave të fundit, mbi 68 mijë persona që jetojnë jashtë RMV-së tashmë janë vetregjistruar.