Kurti për mediumin turk: Sado që jemi dy shtete me Shqipërinë, ne jemi një komb

68

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se problemi më i madh aktual për Kosovën në rajon është qëndrimi agresiv i Serbisë. Sipas tij, “armiqësia potenciale e Serbisë ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve ende vazhdon dhe kjo e bën rajonin të jetojë në tension të vazhdueshëm”.

Kurti, i cili qëndroi për vizitë në Turqi me një delegacion javën e kaluar, për Anadolu Agency (AA) vlerësoi marrëdhëniet Turqi-Kosovë, anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Sado që jemi dy shtete me Shqipërinë, ne jemi një komb”

Kurti shprehet se Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja Jugore janë kundër integrimit të Kosovës në BE dhe vazhdimisht bëjnë pengesa edhe për integrimin në NATO.

“Këto shtete nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Përkundër të gjitha pengesave, ne duam të fokusohemi në problemet e zhvillimit të shtetit tonë. Para se gjithash, ne e kemi të domosdoshme të sigurojmë një strukturë shtetërore demokratike në Kosovë, një zhvillim ekonomik solid dhe, më e rëndësishmja, ta forcojmë dhe zgjerojmë kapacitetin e mbrojtjes dhe atë ushtarak. Ne përpiqemi në këtë drejtim. Aq sa kemi mundësi, përpiqemi të lobojmë jashtë vendit për njohjen e Kosovës”, thotë Kurti.

Ai thekson se është në favor të asaj që BE të mos ndërpresë politikën e zgjerimit.

“Gjersa pesë vite më parë kreu i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, deklaroi se BE nuk do të zgjerohej në pesë vitet e ardhshme, ndodhi Brexit-i. Pra, nëse nuk zgjerohesh, ngushtohesh. Ne si parti mendojmë që gjashtë vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Turqinë, duhet të integrohen në BE”, vlerëson lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili, megjithatë, thotë se kaosi politik në Ballkan ende vazhdon.

“Më shumë sesa për shkaqe etnike, krizat politike bazohen në shkaqe fetare. Në rajon ndodhi konflikt boshnjako-serb dhe kjo është një nga ngjarjet më tragjike të historisë së rajonit. Konflikti serbo-shqiptar në Kosovë edhe sot vazhdon ideologjikisht. Sipas meje, problemi më i madh aktual i Ballkanit është Serbia, sepse edhe pse u zvogëlua vazhdimisht, ajo ende ëndërron Serbinë e madhe”, shprehet ai.

“Armiqësia potenciale e Serbisë ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve ende vazhdon. Dhe kjo e bën rajonin të jetojë në tension të vazhdueshëm. Me ëndrrën e një Serbie të madhe, përpiqet të zhdukë të gjitha shtetet e vogla të krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Ende e mban të gjallë brenda armiqësinë potenciale. Serbia donte të bënte grushte shteti në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, por nuk pati sukses. Madje, në këto tentativa për grusht shteti, ajo veproi së bashku me Rusinë. Ndërkaq, tani dëshiron t’i zhdukë Kosovën dhe Bosnjën që pjesërisht janë të dobëta. Pra, problemi më i madh i Kosovës në rajon është qëndrimi agresiv i Serbisë. Unë nuk jam kundër popullit serb, por Serbia është kundër nesh. Në këtë aspekt, ne duam të krijojmë marrëdhënie më të afërta dhe bashkëpunim me Shqipërinë. Sado që të jemi dy shtete të ndryshme, ne jemi një komb”, tha në fund Albin Kurti.