Kurti: Për ngjarjet në Kumanovë nevojitet hetim i pavarur ndërkombëtar

Advertisment

Ushtruesi i detyrës kryeministër i Kosovës Albin Kurti thotë se për ngjarjet e Kumanovës në maj të vitit 2015, ku jetën e humbën tetë policë të Maqedonisë dhe dhjetë pjesëtarë të të ashtuquajturit “grupi i Kumanovës” i cili e shkaktoi konfliktin e përgjakur, duhet të zbatohet hetim gjithëpërfshirës i pavarur ndërkombëtar, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

I pyetur “A është e mundur Kosova të negociojë për qytetarët e saj të cilët gjenden në burg në Maqedoninë e Veriut”, Kurti në emisionin “DPT” në televizionin prishtinas T7, tha se sipas tij “këto njerëz nuk kanë nevojë për negociata mes të dy qeverive, por kanë nevojë për një proces hetues, i cili do të jetë i pavarur që nga fillimi”.

Reklame

“Ne duhet të flasim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, megjithatë ne jemi Qeveri në dorëheqje, edhe atje ka qeveri teknike. Zgjedhje priten edhe atje edhe në vendin tonë. Në këtë rast nevojitet hetim i pavarur, për të cilin ne gjithashtu duhet të kontribuojmë, veçanërisht faktori ndërkombëtare, i cili do të zbulojë të vërtetën dhe do të vendosë drejtësi”, tha Kurti.

Ai shprehi dyshimin se e gjithë ngjarja, për shkak të cilës në gjykatën e Maqedonisë u dënuan 37 persona, shumica prej tyre nga Kosova, me dënim prej gjithsej 746 vjet burg, ishte “e kurdisur” dhe se ishte “kurth” në të cilin u fut grupi i shqiptarëve.

Në këtë kontekst, Kurti theksoi se ngjarjet para pesë viteve në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës ndodhën në kohën kur kryeministër i Maqedonisë ishte Nikolla Gruevski, i cili sipas tij ishte “shumë i afërt” me autoritetet serbe në atë kohë.

“Në atë kohë (në pushtet) ishte regjim i Nikolla Gruevski, i cili ishte shumë i afërt Beogradin dhe ka shumë të panjohura për atë që ndodhi në Kumanovë. Duket se ka pasur kurth, dhe mbetet të shihet se kush ishin skenaristët dhe regjisorët e atij kurthi, jo vetëm aktorët që përfunduan në skenën që u rrënua. Në këtë drejtim, unë besoj se është i nevojshëm hetim i pavarur ndërkombëtar, me të cilin do të bëhet edhe distancim midis regjimit të Gruevskit dhe autoriteteve aktuale në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Kurti në intervistën e mbrëmshme për T7.